Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim ka dënuar me 35 vjet burgim I.G, për vrasjen e gruas së tij më 2022 në Prishtinë.
I.G, në gjykimin e parë, në qershor të vitit 2023, nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasje të rëndë.
Më 25 nëntor të vitit 2022, në orën 04:00, në shtëpinë tij në Prishtinë, I.G, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij. Sipas gjykatës, ai kishte vepruar “në mënyrë mizore dhe dinake”, duke e goditur disa herë me sëpatë viktimën S.G, e cila në kohën e sulmit ishte duke fjetur në shtratin e saj.
Gjykata tha se viktima, 63 vjeçe, ishte goditur disa herë me sëpatë në pjesën e majtë të kokës “duke i shkaktuar asaj lëndime të rrezikshme për jetën, e për shkak të të cilave e ndjera kishte ndërruar jetë”.
Njoftimi për shpalljen e aktgjykimit ndaj I.G, vjen pasi ditëve të fundit në Kosovë dy gra u vranë, dhe të dyshuarit kryesorë janë burrat e tyre.
Vrasjet e fundit nxitën reagim të shoqërisë dhe krerëve shtetërorë të cilët kërkuan dënime më të ashpra për kryesit e krimeve me bazë gjinore.
Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 57 gra. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë./REL/