Zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZh), Imri Demelezi thotë se situata me çmimet është artificiale dhe se tregtarët po abuzojnë nga paniku i qytetarëve.
Zëvendësministri Demelezi tha se Kosova importon nga jashtë mbi 50 për qind të produkteve agro ushqimore, çka edhe nënkupton se çfarëdo ndryshimi në tregjet rajonale por edhe botërore ndikon në vend. Ai drejtoi edhe kritika ndaj qeverisjeve të kaluara pasi që sipas tij nuk është bërë një plan afatgjatë dhe nuk është ndihmuar dhe nuk është menduar një formë strategjike për sektorin e bujqësisë.
“Në Kosovë mbi 50 për qind e produkteve agro ushqimore importohet nga jashtë. Ne pothuajse totalisht varemi nga importe e importuara kjo nënkupton që çfarëdo ndryshimi në tregjet rajonale ose botërore ne jemi të ndikuar nga ndryshimi i vogël apo më i madh. Mendoj që aftësia për me përballu këtij mosndikimi është i vogël për arsye se nuk është planifikuar gjatë dhe nuk është ndihmuar si duhet dhe nuk është mendua një formë strategjike për sektorin e bujqësisë që është vital për ushqimin dhe si rezultat çfarëdo ndikimi i krizave e bënë të mundshme që shoqëritë të jenë të ndikuara nga ndryshimet më të vogla. Ajo çka munguar deri tash bujqësisë në përgjithësi është vizioni dhe strategjitë e qarta. Për këto rrethana pas pandemisë dhe krizave apo frikës së përshkallëzimit të situatës mendoj që kjo është një lloj përgjigje ndaj krizës dhe një nevojë e fermerëve që ka ekzistuar gjatë viteve. Ajo çka është e rëndësishme është se në përgjithësi kjo është situatë më artificiale apo e abuzuar nga tregtarët që zakonisht i presin rastet e krizave, rastet e panikave të njerëzve dhe për të futur frikë tek qytetarët e që sjellja e tyre tenton grumbullimin e rezervave dhe domosdoshmërish kërkesën më të madhe ndaj tyre”, shpjegoi Demelezi.
Demelezi teksa ka folur për strategjitë e qeverisë krahas bujqësisë ka theksuar se kjo nuk u bë vetëm për shkak të krizës por që ka qenë edhe premtim elektoral për ta ndihmuar fermerin.
Ndërkohë që ditëve të fundit në Kosovë janë rritur çmimet e produkteve ushqimore por edhe çmimi i naftës, e krejt kjo erdhi pas agresionit rus në Ukrainë që ndodhi mëngjesin e 24 shkurtit.
Madje tek qytetarët u krijua edhe ideja e mungesës së produkteve elementare, për çka bëri që ata të grumbullojnë ushqimet. Një shishe vaj të enjten në Kosovë kushtoi 3.49 euro.
E mbrëmjen e së enjtes u zhvilluar një aksion nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, ku janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë (në Fushë Kosovë dhe Graçanicë).
Për këtë reagoi edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke thënë se nuk do ta lejojnë zhvatjen.