Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka deklaruar se Kosova po ua sheh sherrin udhëheqësisë aktuale të ekzekutivit, duke shtuar se ka pasur disa skandale për të cilat do të duhej që kryeministri e vartësit e tij të kërkojnë falje e të japin dorëheqje.
Në deklarimin jashtë rendit të ditës, Deliu-Kodra ka përmendur rastin e nderimit të gardës së FSK-së, para pllakës përkujtimore të ushtarëve serbë.
Përveç kërkim faljes, deputetja Deliu-Kodra ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Kurti e vartësve të tij.
“Nderimi i FSK-së ndaj atij lapidari poshtëron kujtimin e dhjetëra mijëra paraardhësve tanë civilë të pafajshëm që u shfarosën nga ushtarët serbë, duke bërë një akt të turpshëm, një akt fyes dhe një akt poshtërues ndaj shqiptarëve. Nuk kanë asnjë faj ushtarët e FSK-së. Unë sot nuk kam dalur këtu që të fajësojë ata. Ata zbatojnë vetëm urdhra, urdhërdhënësit e FSK-së nuk kanë faj. Sepse, ata i përgjigjen detyrës së tyre. E detyra e tyre është që t’i përgjigjen kontrollit civil të ushtrisë sonë. Për më tepër është një papërgjegjshmëri ndaj vuajtjeve të shqiptarëve dhe nuk do të doja të mendoja që është bërë me vetëdije një akt i tillë nga ministri Sveçla. Nëse është bërë me vetëdije të plotë, do të përbënte një akt të rëndë e të turpshëm, antikombëtar që do të kishte hak kërkimin e dorëheqjes nga kryeministri Kurti ”, ka shtuar ai.
“Del si diçka si puna e raketave në Poloni, e bëhet gaz i botës me deklaratat e saj për NATO-n e BE-në për të plotësuar deficitin e punës së saj. Dhe është me të vërtetë shumë qesharake se ku ka përfunduar sot diplomacia jonë. Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konsideroj që Kosova meriton krejt një qeverisje tjetër, por derisa një e tillë të bëhet neve nuk na mbetet asgjë tjetër përveç se të kërkojmë prej kësaj qeverie vetëm një gjë: aman mos na boni horë. Sepse në këtë rast vetëm sherrin jemi duke ua parë. Kaq ka mbet prej jush”, ka përfunduar Deliu-Kodra.