Delegacioni i Kosovës avokon për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Lexohet për: 3 min.
2024_01_24_Delegacioni i Kosovës avokon për anëtarësim në KiE (1)
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Delegacioni i Kosovës, nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ndodhet në Strasburg të Francës, për të avokuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Në mes të takimeve kyçe që delegacioni ka marrë pjesë ishte diskutimi në Komitetin e Çështjeve Politike dhe Demokracisë, ku kryetari Konjufca ka prezantuar rastin e Kosovës për anëtarësim.

Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme që afirmojnë të arriturat e Kosovës në vitet e fundit dhe adresojnë rekomandimet nga raporti i Juristëve Eminentë.

Gjatë diskutimit të tij, kryetari Konjufca u përgjigj në pyetjet e adresuara dhe bashkëbisedoi me anëtarët e komitetit në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Tahiri: Anëtarësimi i Kosovës në KiE vulos rrugëtimin tonë të qëndrueshëm në BE • KosovaPress

Duke shprehur mirënjohje për këtë mundësi si dhe ndaj PACE, përfshirë Komitetin dhe Sekretariatin për veprimet e menjëhershme në emërimin e juristëve dhe raportuesve të shquar, kryetari Konjufca vlerësoi se raporti i tyre objektiv dhe i përgatitur me shpejtësi, ka ofruar perspektiva të vlefshme.

“Falënderoj veçanërisht të tre raportuesit, përfshirë zonjën Dora Bakoyannis, për organizimin e vizitave në Kosovë në kohë të duhur. Në këtë fazë, besojmë se PACE ka siguruar një vizion të qartë për Kosovën. Siç tregon raporti i juristëve të shquar, ‘rregullat ligjore janë në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare, ose, siç është rasti me Kushtetutën, shkojnë përtej këtyre standardeve’. Aplikimi ynë për anëtarësim daton që nga viti 2022. Kosova ka punuar për 16 vjet me instrumentet kyçe të Këshillit të Evropës dhe është tashmë anëtare e plotë e Komisionit të Venedikut dhe Bankës për Zhvillimin e Këshillit të Evropës”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se që nga viti 2008 Kosova ka dhënë një rang kushtetues dhe ka zbatuar drejtpërdrejt Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Konventën Kornizë për Minoritetet dhe, që nga viti 2020, edhe Konventën e Stambollit. 

“Ne vazhdojmë të mbajmë përkushtimin për të mbrojtur standardet ndërkombëtare dhe për të promovuar të drejtat e njeriut. Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës është shënuar nga përkushtimi dhe përparimi. Vlerësoj mbështetjen dhe njohjen e vazhdueshme nga bashkësia evropiane”, tha Konjufca.

Në kuadër të qëndrimit në Strasburg delegacioni u takua me personalitete të rëndësishme nga grupe të ndryshme politike, duke përfshirë Béatrice Fresko-Rolfo, raportuesen për Kosovën në Komitetin për Barazi dhe Mosdiskriminim, delegacionin kombëtar të Francës, kryetarin e Grupit ALDE, Iulian Bulai, si dhe deputetë e përfaqësues të përhershëm të vendeve anëtare.

Kryetari Konjufca, së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit, do të realizojnë takime të tjera të rëndësishme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025