Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi ka reaguar ndaj mos koordinimit të Presidencës dhe Qeverisë për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ajo në një postim në Facebook ka komentuar deklarimet e presidentes Vjosa Osmani rreth koordinimit për hyrje në organizatën evropiane.
Osmani ka theksuar se nuk është informuar nga kreu i Kuvendit Glauk Konjufca në lidhje me letrën e ministres së Jashtme Donika Gërvalla dërguar në KiE. Konjufca më herët ka deklaruar se kjo ka të bëjë më shumë me çështje teknike dhe jo si diçka të qëllimshme.
“Kjo kam hamendësuar se ka mundur të ndodhë për shkak të vizitës që ajo e kishte në SHBA, ku për shkak të largësisë, me siguri jo çdo hollësi e cila do të ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për KiE mund të ndahet dhe mund të koordinohet”, ka thënë ai.