Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim pesë organizata jo-qeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë (YIHR KS); Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova); Qendra për Zvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD); Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ); dhe Civil Rights Defenders kanë paraqitur sot një Padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe më pas do të paraqesin një Ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit, për shkak të cënimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 16 mars 2022.
Padia dhe Ankesa janë paraqitur kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kundër deputetes, Labinotë Demi-Murtezi.
Njoftimi i plotë:
Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, ne, pesë organizata jo-qeveritare që merremi me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë (YIHR KS); Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova); Qendra për Zvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD); Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ); dhe Civil Rights Defenders kemi paraqitur sot një Padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe më pas do të paraqesim një Ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit, për shkak të cënimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 16 mars 2022.
As deputetët nuk e kanë atë të drejtë dhe as institucioni i Kuvendit nuk duhet të lejojë dhe tolerojë një gjë të tillë. Siç e kemi theksuar në Padi dhe Ankesë, edhe Gjykata Kushtetuese ka sqaruar në një nga vendimet e saj, se deputetët kanë pozitë të privilegjuar në ushtrimin e funksionit të tyre përfaqësues, por imuniteti dhe privilegjet e tyre shtrihen deri në masën që veprimet dhe vendimet e tyre ndërmerren brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të datës 16 mars 2022, gjatë diskutimeve për Projekt-Kodin Civil, deputetë dhe deputete të caktuara kanë (keq)përdorur foltoren e Kuvendit për të demonizuar komunitetin LGBTIQ+.
Drejtuesi i seancës plenare të Kuvendit nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të mos lejuar apo për ta sanksionuar një gjuhë të tillë - siç e përcakton Rregullorja e Kuvendit.
Këto deklarata të deputetes znj. Demi-Murtezi dhe disa deputetëve të tjerë, si dhe tolerimi i tyre nga ana e Kuvendit, kanë cënuar dinjitetin e personave LGBTIQ+, si dhe kanë pasur efekt poshtërues dhe diskriminues ndaj tyre.
Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës, sikundër edhe konventat për të drejtat e njeriut që zbatohen në vendin tonë, u garantojnë të gjithë individëve dhe grupeve shoqërore, duke përfshirë edhe personave LGBTIQ+, të drejtën e mos cënimit të dinjitetit, mbrojtjen nga trajtimi poshtërues, si dhe mbrojtjen nga diskriminimi.
Ne kemi qenë dëshmitar të sulmeve apo planeve për sulme terroriste, ndaj personave LGBTIQ+, siç ishin rastet në Dokufest dhe në paradën e mbajtur në Prishtinë.
Prandaj, përmes kësaj padie dhe ankese ne dëshirojmë, jo vetëm të mbrojmë të drejtat kushtetuese të personave LGBTIQ+, por edhe të ngrisim vetëdijen shoqërore - sidomos tek deputetët - për të drejtat e këtij komuniteti të cënueshëm të shoqërisë tonë.
Si në Padinë e paraqitur në Gjykatën Themelore e poashtu edhe në Ankesën e paraqitur tek Avokati i Popullit, ne kemi paraqitur argumente të qëndrueshme juridike. Kjo është bërë duke u mbështetur në legjislacionin e Republikës së Kosovës, si dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.