Deklaratat lidhur me “aleancën ushtarake kundër serbëve”, Kroacia i reagon Vuçiqit
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Deklaratat lidhur me “aleancën ushtarake kundër serbëve”, Kroacia i reagon Vuçiqit
Kroacia
07/01/2026 - 10:57
Linku u kopjua

Ministri i Punëve të Brendshme të Kroacisë, Davor Bozhinoviq, bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas akuzave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar "një aleancë ushtarake kundër popullit serb".

“Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare e bën në mënyrë transparente”, theksoi Bozhinoviq.

Pas pjesëmarrjes në pritjen tradicionale festive të organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb (SNV) për të festuar Krishtlindjet sipas kalendarit Julian, Bozhinoviq tha se mesazhet për paqe dhe bashkëpunim janë diçka që duhet të jetë e përbashkët në rajon dhe në vendet fqinje.

Dita më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës në Trebinje, në entitetin boshnjak të Republikës Sërspka kishte thënë se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nuk kishin krijuar një aleancë kundër Austrisë, sepse Austria është ushtarakisht neutrale, por kundër Serbisë dhe popullit serb.

“Në Beograd e kuptojmë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës”, deklaroi Vuçiq, shkruan REL, transmeton KosovaPress.

Ministrat e mbrojtjes së Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruan në mars të vitit 2025 një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Atëbotë, Serbia reagoi ashpër, duke e parë si një nismë kundër saj.

Më herët, Qeveria e Kroacisë kishte thënë se deklarata nuk synon krijimin e një aleance ushtarake, dhe një aleancë e tillë nuk është e nevojshme përveç NATO-s.

Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova, të cilën Serbia nuk e njeh si të pavarur, nuk është anëtare e aleancës ushtarake perëndimore.

Reagimi i ministrit kroat vjen një ditë pasi ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, reagoi ndaj paralajmërimit se Serbia do të dyfishojë ushtrinë, duke e akuzuar Beogradin se po shtyn përpara politikën e jashtme ruse.

Sipas Gërvallës, kërcënimi i vërtetë qëndron “te lidershipi i saj [v.j. i Serbisë], i cili, në vend se të ndërtojë një vend normal evropian të përqendruar në reformat e BE-së dhe demokracinë, ëndërron një perandori rajonale, një mentalitet rus në miniaturë”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026