Deklarata e Vuçiqit për luftë në Kosovë konsiderohet si kërcënim serioz dhe e rrezikshme
Lexohet për: 4 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Serbia do të pres momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të bisedojmë, por tani me një qasje tjetër. Kjo është një ndër deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të dielën drejtuar perëndimit, të cilin njohësit e sigurisë në Kosovë, po e konsiderojnë si kërcënim serioz dhe direkt ndaj vendit tonë.

Për KosovaPress, ata thonë se ky deklarim duhet të merret seriozisht nga ndërkombëtarët, ngase paraqet rrezik potencial për sigurinë e Kosovës, derisa potencojnë se Vuçiqi ka shprehur ambiciet e Serbisë kundër Kosovës.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, nga Lidhja Demokratike i Kosovës (LDK), Anton Quni tha se ky është një ndër deklarimet më të sinqerta të Vuçiqit lidhur me atë që mendojnë dhe ëndërrojnë për Kosovën. Ai shtoi se Serbia pret çarje brenda shteteve anëtare të NATO-s dhe që partnerët strategjik të zbehin interesimin ndaj Kosovës, për të arritur qëllimet e saja. Përveç kësaj, Quni potencon se çdo veprim nga autoritetet e Kosovës do duhej të jenë në bashkërenditje të mirë me partnerët tanë strategjik.

Po ashtu, anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli potencon se Vuçiq ka kërcënuar haptazi paqen dhe stabilitetin në Kosovë, për çka shton se Bashkësia Ndërkombëtare, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet ta marrin më seriozisht këtë deklarim, siç e quan ai të pasardhësit të Millosheviçit.

Dugolli për KosovaPress, thekson se me këtë deklarim, Vuçiq ka shprehur publikisht ambiciet e tij kundër Kosovës, duke vlerësuar këtë si një kërcënim serioz për vendin tonë.

Se Vuçiq hoqi maskën, tregoi fytyrën e vërtetë dhe planin afatgjatë të Serbisë ndaj Kosovës e thotë njohësi i sigurisë, Avni Islami. Deklarata e Vuçiq, nëse Perëndimi duhet të zgjedh mes Kosovës dhe Serbisë, Islami konsideron se Serbia është e interesuar që nëse në aspektin diplomatik nuk përfiton nga Kosova, ta provojë edhe anën ushtarake. Në një prononcim për KosovaPress, Islami thotë se institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke u forcuar, që në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë të jenë të gatshëm në çdo moment dhe kohë ndaj kërcënimeve të Serbisë.

Lidhur me këto deklarata, ka reaguar edhe deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer. Ai në një reagim në platformën “X”, ka pyetur liderët e BE-së nëse e kanë dëgjuar deklaratën e Vuçiqit për Kosovën. Ai u shpreh se si mund të vazhdohet me pretendimin se “problemi” është kryeministri Kurti, kur por e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës.

Po ashtu, edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko tha se Vuçiq edhe takimin me fëmijët nga Kosova e shfrytëzon për t’i dërguar mesazhe rajonit dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar.

Ndërkaq, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit nga Brukseli, Toby Vogel ka hedhur kritika ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e sulmit terrorist në Banjskë, në shtator të vitit të kaluar.

Në një shkrim në platformën sociale “X”, Vogel theksoi se SHBA-a dhe BE-ja, janë duke e fshehur nën qilim rastin “Banjska”, për të vazhduar biznesin si zakonisht me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024