Deklarata e G7, diplomatët: Meloni vendosi vijë të kuqe për abortin
Lexohet për: 2 min.
Giorgia Meloni
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Italia ka kërkuar që referencat për "abortin e sigurt dhe të ligjshëm" të hiqen nga deklarata përfundimtare e samitit të G7 të kësaj jave, thanë diplomatët. Një zyrtar i lartë amerikan tha se presidenti Joe Biden e kishte refuzuar kërkesën.

Komunikata e G7 e lëshuar pas samitit të liderëve në Hiroshima, Japoni në 2023, bëri thirrje për "qasje në abortin e sigurt dhe ligjor dhe kujdesin pas abortit".

Një thirrje e ngjashme u propozua nga diplomatët francezë dhe kanadezë gjatë bisedimeve përpara takimit të vitit 2024, të organizuar nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

"Të gjitha vendet e tjera i mbështetën, por kjo ishte një vijë e kuqe për Meloni-n, kështu që nuk është në tekstin përfundimtar," tha një diplomat për mediat britanike.

Zyra e Meloni-t tha se asnjë vend nuk kishte kërkuar të hiqte "çështjet e lidhura me abortin" nga projekt-konkluzionet dhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se negociatat po vazhdonin.

"Delegacione të ndryshme po e diskutojnë këtë, kështu që është shumë herët për të bërë analiza dhe parashikime të kota. Do të shohim në fund se cila do të jetë marrëveshja," tha Tajani për kanalin televiziv italian Sky.

Meloni është fuqimisht kundër abortit, duke zbuluar në një autobiografi të fundit se nëna e saj ishte afër ta abortonte. Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se Franca nuk ndan pikëpamjet e saj për abortin me Italinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024