Dëgjohet dëshmitari i katërt në gjykimin kundër Pjetër Shalës
Lexohet për: 3 min.
Hage-300323
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i katërt i prokurorisë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Ai ka folur për ngjarjet që lidhen me babain e tij, për të cilin ka thënë se në vitin 1999 ishte kidnapuar dhe mbajtur në Kukës të Shqipërisë.

Dëshmitari që mban numrin 9 ka folur fillimisht në seancë private për të vazhduar pastaj të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë.

“Në vitin 1998 është larguar familja nga aty(fshati). Arsyeja ishte se aty disa persona kishin shkuar dhe e kishin kërkuar babain që ta marrin me vete, t’i dorëzojë armët dhe ta marrin me vete", ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se nuk ishte prezent aty por për ngjarjen ka mësuar nga familja e tij.

Dëshmitari ka thënë se, në bazë të asaj çka i ka treguar nëna e tij, dy persona ishin futur në oborrin e shtëpisë dhe e kishin kërkuar babain e tyre. Sipas tij, ata persona ishin dërguar nga shtabi i Jabllanicës.

Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se më vonë e kanë e kanë kuptuar që në grupin e personave që po qëndroni jashtë shtëpisë ishte edhe Pjetër Shala, i cili sot është në bankën e të akuzuarit.

Tutje, dëshmitari ka thënë se familja e tij ishte larguar nga Kosova për në Shqipëri, me fillimin e bombardimeve të NATO-s.

Ai ka thënë se atje, babai i tij ishte kidnapuar nga katër persona dhe njëri prej tyre ishte i njohur për vëllain e tij.

Sipas dëshmitarit, babai i tij ishte kërcënuar me vrasje si dhe keqtrajtuar mizorisht në Kukës.

Gjatë pjesës së parë të seancës, dëshmitari ka folur për tri incidente në familjen e tij, e në të cilat e ka përfshirë Pjetër Shalën.

Shala po e ndjek seancën nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025