Debat i gjatë në Komision për tenderin me insulina, Qeveria akuzon OSHP-në
Lexohet për: 3 min.
komisioni per buxhet17
1 vit më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi gjatë arsyetimit të vendimit për shkarkimin e Kimete Gashi, anëtare e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), ka thënë se propozimi për shkarkimin e Gashit ka ndodhur për shkak se OShP-ja me vendimin e saj ka lejuar që të futet bari insulina që nuk ka autorizim për marketing.

Ajo në Komisionin për Buxhet ka thënë se me këtë vendim janë rrezikuar mijëra qytetarë me këtë bari, duke shtuar se tre nga pesë anëtarët e kanë votuar këtë vendim.

Pas një debati gjatë ku pati edhe kritika nga opozita, komisioni vendosi që votimin për Vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Kimete Gashi ta shtyjë për javën tjetër.

"OSHP me vendimin e saj ka lejuar qe të futet insulina që nuk ka autorizim për marketing, ajo është e paraparë me ligjin për produktet medicionale. Organi shqyrtues i prokurimit publik gjatë vendimit të tyre nuk e ka pasur parasysh ligjin. Çdo vendim duhet paraprakisht të jetë i bazuar në ligj për prokurimin publik. OSHP me vendimin e saj kundërligjor ka sjellë MSH-në në pozitën ku nuk duhet vetëm të plotësohet kontrata por edhe të sjellë në rrezik mijëra qytetar. Vendimet e tilla të pa përgjegjshme nuk mund të mos marrin një përgjigje të qeverisë që është obligim të kujdeset për shëndetin e qytetareve. Kimeti e ka udhëhequr këtë", tha Rexhepi.

Ndërsa, anëtarja e OSHP-së, Kimete Gashi tha se për këtë vendim nuk kanë votuar vetëm 3 persona por 5 anëtarë. Ajo tha se OSHP-ja ka përgjegjësi administrative.

Ndërkaq, Rexhepi theksoi se OSHP-ja nuk ka respektuar Ligjin e prokurimit publik.

Mes tjerash ajo ka thënë po ashtu se nuk eksiton vendimi i Gjykatës së Apelit për vendimin zyrtar, dhe gjithë procesi të pezullohet derisa ta merret vendimi i Gjykatës Supreme.

Ndërkaq, deputetja Duda Balje i ka replikuar ndaj zëvendëskryeministres Rexhepi, duke thënë qeveria nuk është sistem gjyqësor.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Armend Muja duke iu përgjigjur deputetes Balje, tha se ka të drejtë edhe qeveria të përfshihet në këtë diskutim dhe të bëjë pyetje.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e ka konsideruar të gabuar vendimin e Qeverisë për t'i rekomanduar Kuvendit shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.

Madje, deputeti Shala thotë Qeveria duhet ta tërheq këtë vendim dhe ta sjellë vendimin për të gjithë anëtarët e Bordit të OSHP-së.

Pas këtij diskutimi deputeti Shala ka lëshuar mbledhjen.

Ndërkaq, deputeti Mërgim Lushtaku nga PDK-ja me këtë rast ka akuzuar Qeverinë që nuk po merret me shëndetin publik.

Madje, ai tha se Qeveria është duke mbrojtur krimin.

Deputeti nga AAK, Pal Lekaj ka thënë se propozimi i qeverisë për shkarkimin e Kimete Gashi, është vendim puro politik dhe krijon hapësirë të korrupsionit në  Ministri të Shëndetësisë.

Javën që shkoi, Qeveria në mbledhjen e saj ka propozuar shkarkimin e Gashit, lidhur me tenderin për insulina siç thuhet pa autorizim-marketingu./E. Krasniqi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025