DASH lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Shtetet e Bashkuara inkurajojnë respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit, pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

“Sa i përket aktakuzës së Kosovës, ne inkurajojmë për respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit dhe për durim, teksa ky rast i ndërlikuar procedohet në gjykata. SHBA-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë”, tha një zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Nga DASH-i thanë se presin që Serbia të kërkojë përgjegjësi të plotë për personat e përfshirë në sulmin e shtatorit të vitit të kaluar.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në veri të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Gjatë kësaj jave, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për këtë sulm.
Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Ai, në aktakuzë, cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

Ngritja e aktakuzës për sulmin e armatosur në Banjskë është mirëpritur edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga BE-ja thanë se përgjegjësit duhet të përballen me pasoja, pasi gjyqësori i Kosovës të shpallë aktvendimin ndaj tyre, teksa zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, tha se Brukseli vazhdimisht i ka kërkuar Serbisë që të përfshirët në këtë sulm të dalin para drejtësisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 13 shtator se autoritetet serbe po e hetojnë sulmin në Banjskë.

Ai tha se ky sulm, për Serbinë, nuk është “terrorist”.

“Por, nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, tha Vuçiq gjatë një adresimi.

Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi. Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq./REL/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024