Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.G., B.R., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më datë 04.04.2022 në Prizren, në cilësinë e personave zyrtarë – i pandehuri I.G., si menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në kuadër të Komunës së Prizrenit, dhe i pandehuri B.R., si zyrtar i lartë për personel i Njësisë në fjalë - njëkohësisht duke qenë edhe si anëtarë të komisionit rekrutues lidhur me konkursin e shpallur nga Komuna e Prizrenit më datë 03.03.2022 - të publikuar më datë 04.04.2022 - për rekrutimin e 12 mjekëve të përgjithshëm në QKMF-të, e Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në bashkëkryerje, nuk i përmbushin detyrat zyrtare.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.