Pajtimi i Kosovës dhe i Serbisë për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë, po mirëpritet nga njohës të procesit të dialogut. Sipas tyre, dakordimi për themelimin e një Komisioni të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e kësaj deklarate është pozitiv, por ka shqetësime që rrugës mund të dalin pengesa nga Serbia dhe mund të zvarritet sërish ky proces.
Dakordimi për themelimin e komisionit u bë të martën gjatë takimit trepalësh ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, me të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ndër zotimet në këtë deklaratë janë qasja në informacione të besueshme, përfshirë edhe atyre me status të kualifikuar dhe vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi në përcaktimin e fatit të personave të zhdukur.
Analisti politik, Seb Bytyçi thotë për KosovaPress se takimi në nivel të kryenegociatorëve më 17 dhjetor ka prodhuar rezultate përtej pritjeve."Megjithatë mund të presin se do të ketë zvarritje nga Serbia pasi ajo është strategji e zakonshme”, thotë ai.
Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se dakordimi për themelimin e komisionit të përbashkët për të pagjeturit dhe nisja e diskutimeve për hapjen e pikave të reja kufitare me Serbinë është pozitive.
“Esenca është që Serbia nuk është përmirësuar dhe mentaliteti serb nuk është pro-perëndimor dhe ky është problemi që këto marrëveshje teknike mund të zvarriten dhe vonohen”, thekson ai.
Sipas tij Serbia ka premtuar se nuk do të paraqesë pengesa.
Takimi i djeshëm në kuadër të dialogut u tha se është i fundit për këtë vit.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo që ende nuk ka nisur zbatimi konkret i saj.
Thirrje për zbatim të obligimeve të dala nga dialogu i Brukselit pati edhe nga ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së, në mbledhjen e 17 dhjetorit.