Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosja, thotë se ende e kanë shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Nënkryetari i kësaj partie, njëherësh kryetari i Kuvendit, Glauk Konjfuca, deklaron se LVV-ja së bashku me partnerët e koalicionit nga komunitetet jo shumicë kanë 61 deputetë. Mirëpo, kjo sipas partive opozitare mbetet të shihet në seancën e radhës plenare se a do të mundet LVV-ja t’i miratojë projektligjet me shumicë të thjeshtë, ku nevojitet vota e 61 deputetëve. Opozitarët u shfaqën të ndarë se a do të votojnë ligjet e sponsorizuara nga partia në pushtet, derisa e kritikuan mazhorancën se ka humbur legjitimitetin në Kuvend.
Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se në bazë të numrave të shumicës parlamentare beson se Kuvendi do të mund të funksiononte.
Konjfuca ironizoi edhe me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, të cilit iu drejtua duke i thënë “a t’iu tregoj çka të nguca gjatë mbledhjes së kryesisë”. Ai tha se PDK-ja ka përvojën sesi të funksionojë Kuvendi edhe pa e pas shumicën parlamentare duke rikujtuar vitet 2011-2014, kur në vitin e fundit koalicioni qeverisës atëherë kishte vetëm 57 deputetë në Kuvend.
Mirëpo sipas tij, në atë kohë LDK-ja megjithëse në opozitë ishte treguar konstruktive duke i votuar mbi 70 ligje.Mirëpo reagoi shpejt shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili i quajti këto deklarata të turpshme.
Ai tha se të quash LDK-në si të rebeluar, derisa është treguar konstruktive është jokorrekte.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se shumica parlamentare në Kuvend e ka humbur legjitimitetin.
Në anën tjetër, mazhoranca s’ka marrë pjesë në katër seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrura nga opozita./KosovaPress/