Shqipëria do të ketë Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen Kibernetike si dhe Njësinë speciale të kontrollit detar gjatë sezonit veror në 2023. Të dyja këto zhvillime të reja për sigurinë në vend dhe Policinë e Shtetit janë parashikuara në buxhetin e 2023. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në përmbledhje të arritjeve dhe objektivave për 2022 tha se Shqipëria do të ketë teknologjinë më të fundit të mbrojtjes kibernetike në rajon.
“Sulmi kibernetik në shtator ka sjellë forcimin e teknologjisë dhe me buxhetin e 2023 do rrisim 7.6 herë investimet në fushën e teknologjisë për policinë e shtetit. Do ngremë agjencinë kombëtare për mbrojtjen kibernetike dhe të gjitha këto janë investime të reja nga buxheti i 2023. Sulmet kibernetike janë një sfidë që e kalon e gjithë bota dhe askush nuk është 100 % i mbrojtur, por me masat që kemi marrë besoj se në përfundim të ngritjes së kësaj agjencie dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë do të kemi infrastrukturën më të mirë në rajon për mbrojtjen kibernetike”, tha Çuçi.
“Krijimi i një njësie të përbashkët speciale të kontrollit detar, duke parashikuar kapacitetet njerëzore dhe për pajisjen me 40 motora uji nga buxheti 2023, ku gjatë sezonit turistik do patrullojë në brigjet e Shqipërisë për të garantuar sa më shumë siguri. Vjet për herë të parë në historinë e policisë shqiptare kemi krijuar njësinë speciale alpine në bashkëpunim me policinë austriake”, tha Çuçi.
Ministri i Brendshëm theksoi se gjatë 2022 është jetësuar reforma në policinë kriminale, e cila do të krijojë strukturë të veçantë brenda policisë duke ndarë krimet e lehta nga krimi i organizuar dhe trafiku i narkotikëve.
Një tjetër arritje i Ministrisë së Brendshme ishte edhe modernizimi i policisë shkencore dhe krijimi I databases me mostrat e ADN-së
“Gjatë 2022 modernizuam policinë shkencore duke fiksuar provat dhe skenat e krimit. Do të ngremë një godinë të re për policinë shkencore dhe më pas partnerët britanik na kanë vënë në dispozicion fondet për pajisjen me teknologjitë e fundit të policisë shkencore. Krijuam databasen me 11 mijë mostra të ADN-së”, tha ministri.