Alessandro Del Piero i ka hedhur poshtë spekulimet që trajneri i Tottenhamit, Antonio Conte mund të rikthehet te Juventusi dhe insistoi që ai ka ende punë për të bërë te skuadra e tij aktuale.
Conte, i cili kishte luajtur për Juventusin për 13 sezone dhe fitoi tre tituj radhazi të Serie A si trajner mes viteve 2012-14, shënoi një vjet në krye të Tottenhamit të mërkurën, një ditë pasi që skuadra e tij siguroi një vend në eliminatoret e Ligës së Kampionëve me një fitore dramatike 2:1 kundër Marseille.
Trajneri aktual i Juventusit, Massimiliano Allegri ka përjetuar një aventurë të vështirë deri tani në Serie A, ku skuadra e tij zë vendin e shtatë në tabelë me 10 pikë larg liderit, Napolit, gjë kjo që ka bërë të vazhdojnë spekulimet se Conte mund të rikthehet te “Zonja e Vjetër”.
Por, Del Piero tha që momentalisht nuk ka bisedime mes Contes dhe Juventusit.
“Mendoj që Conte është tejet i fokusuar në atë se çfarë po bën te Tottenhami dhe fakti që ata arritën raundin e 1/16-ës është një gjë e madhe”, shtoi më tej ai.
Del Piero e kishte vizituar Conten disa javë pas emërimit të tij si trajner i Tottenhamit në nëntorin e vitit të kaluar dhe e kishte pranuar se kishte mbetur i habitur me pajisjet dhe infrastrukturën e mrekullueshme në qendrën stërvitore të klubit londinez.