Çollaku: Natyra e aktakuzës për ish-krerët e UÇK-së është tmerruese për Kosovën
Lexohet për: 3 min.
collaku-thaci
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ish-shefi i stafit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka thënë se fakti që të akuzuarit nga Specialja dhe mbrojtja e tyre nuk i kanë krejt detajet e aktakuzës e vështirëson punën e ekipit mbrojtës në këtë proces.

“Kjo e komplikon tej mase aftësinë dhe mundësitë e ekipit mbrojtës për t’u përgatitur për gjykim të drejtë në këtë proces që është tepër i komplikuar. Më thelbësore te zgjerimi i aktakuzës është pse aktakuza është e kësaj natyre që është, pse është kaq e zgjeruar dhe pse mbetet e redaktuar në masë kaq të madhe dhe cila është tendenca e Prokurorisë së paku deri në këtë fazë. Çka është më shqetësuese për Kosovën dhe trashëgiminë tonë më të re nga i gjithë ky rast?”.

Çollaku, në “Rubikon” të Klan Kosovës, deklaroi se do të mund të ketë edhe qindra të akuzuar të tjerë, sepse sipas aktakuzës i bie që të gjithë pjesëtarët e UÇK-së janë pjesëtarë “të organizatës së përbashkët kriminale”, siç cilësohet UÇK-ja në aktakuzat e ngritura nga Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Në këtë aktakuzë kaq voluminoze që siç e kanë cilësuar avokatët është trefish më e madhe krahasuar me aktakuzat që i janë bërë Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, bëhet fjalë për një proces i cili mund të ketë me dhjetëra, për të mos thënë me qindra të akuzuar të tjerë, sepse nga kjo pikëpamje nëse e lexojmë aktakuzën të gjithë pjesëtarët e UÇK-së dhe anëtarët dhe pjesëtarët e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës e cila asnjëherë s’ka pasë funksion ekzekutiv, cilësohen si pjesëtarë të ‘organizatës së përbashkët kriminale’ të cilët me vetëdije ose pa vetëdije kanë lejuar që krimet e tilla, për të cilat akuzohen të akuzuarit që janë aktualisht në paraburgim, mbahen përgjegjës”, tha ai.

Sipas tij, asnjë nga të akuzuarit nuk akuzohet në mënyrë të drejtpërdrejtë se ka kryer një vrasje, ndalim, rrahje ose keqtrajtim, mirëpo të gjithë akuzohen për të gjitha këto raste në nivel Kosove.

“Akuzohen se nga përgjegjësia e kanë pasë, që Prokuroria aludon, do të duhej ta dinin dhe të ndërmerrnin veprime parandaluese dhe ndaluese që të mos vinte deri te raste të tilla të cilat janë të pashmangshme në çfarëdo konflikti e lëre më në një luftë çfarë ka qenë ajo që ka ndodhur në Kosovë”, tha Çollaku në Klan Kosova.

Ish-shefi i stafit të Thaçit thotë se natyra e aktakuzës për ish-krerët e UÇK-së është tmerruese për Kosovën, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë pjesëtarët e UÇK-së.

“Është tendencë e qartë dhe e drejtpërdrejtë e përpjekjes për ndryshimin e narrativit për atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës dhe agresionit të Serbisë kundër popullatës civile”, u shpreh ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025