Qytetarët e Maqedonisë së Veriut në fillim të kësaj jave u përballën me një valë të re të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. Në listën e produkteve me çmime të reja përfshiheshin edhe disa nga produktet e qumështit, të cilat u rritën për herë të dytë brenda një jave.
Djathi dhe gjiza shiten për 30 denarë më shtrenjtë, por ka paralajmërime se në ditët në vijim do të rriten edhe për 15-20 denarë. Çmimi i kaçkavallit ka arritur në 900 denarë, ndërsa një kilogram djathë kushton mbi 500 denarë. Përpunimi i mishit ka çmime më të larta këtë muaj. Që nga e hëna ka pasur rritje të çmimeve të karburanteve, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës bruto në tregjet botërore.
Rritja e çmimeve në Maqedoni është reflektuar edhe në rritjen e kostos së jetesës. Ka qasje të ndryshme për shportën e konsumatorit, por të gjitha ato çojnë në të njëjtin përfundim, varfërimin e qytetarëve – tha Sllobodan Trendafilov. Ata po na vjedhin dyfish – theksoi kreu i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
“Ajo që na shqetëson në mënyrë shtesë është që prodhuesit dhe shitësit, përkatësisht marketet dhe depot, mendoj, se pasurohen në shpinën e qytetarëve, punëtorëve dhe pensionistëve. Sipas Lidhjes së Sindikatave është e patolerueshme që çmimet të arrijnë majat duke pasur parasysh se kur çmimi i naftës ishte 120 denarë, prodhimet u shtrenjtuan shumë. U morën masat e caktuara për të mbrojtur qytetarët, ndërkohë çmimet e derivateve u liruan por nuk pati lirime të çmimeve të produkteve ushqimore. Tani kur sërish u rrit çmimi i naftës, për së dyti herë u rritën çmimet e prodhimeve që nënkupton se tregtarët po i vjedhin dyfish qytetarët,” tha Sllobodan Trendafilov, Kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.