Çmimet e naftës u rritën sot në tregjet ndërkombëtare drejt 94 dollarëve, mbështetur nga një rënie e dollarit dhe shqetësimet për ofertën pas deklaratës së ministrit të Arabisë Saudite se shitja e naftës nga stoqet po manipulon tregjet.
Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie ishte 40 centë më i lartë pas mesditës se në mbylljen e tregtisë së djeshme dhe arriti në 93.66 dollarë. Në tregun amerikan një fuçi u tregtua me 70 centë më shumë, me 85.28 dollarë.
Të dhënat e qeverisë kineze të publikuara të hënën treguan se importet e naftës së papërpunuar në shtator ishin dy për qind më të ulëta në bazë vjetore se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke vazhduar një tendencë të importeve më të dobëta, të shoqëruara me shitje më modeste me pakicë.
Aktiviteti i biznesit në SHBA ra në tetor për të katërtin muaj radhazi, me industrinë dhe kompanitë e shërbimeve që tregojnë për një kërkesë më të dobët, tregoi raporti mujor i S&P Global. Aktiviteti i biznesit ka shënuar rënie edhe në sektorët e prodhimit të Eurozonës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Pas mesditës, çmimet ndryshuan kursin ndërsa dollari u dobësua, duke mbështetur kërkesën nga blerësit me monedha të tjera.
Mbështetje për çmimet u dha edhe nga deklarata e ministrit saudit të Energjisë, Princit Abdulaziz bin Salman se rezervat e energjisë po përdoren si një mekanizëm për të manipuluar tregjet.
SHBA dhe partnerët e saj në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) kanë vendosur të lëshojnë 180 milionë fuçi naftë nga rezervat në treg për të frenuar rritjen e çmimeve.
Ministri saudit paralajmëroi gjithashtu se kostoja e rraskapitjes së kapaciteteve prodhuese do të ishte e lartë.
Reduktimi duhet të jetë më modest, me rreth 1 milion fuçi në ditë, pasi disa anëtarë nuk kanë përdorur kuota për shkak të investimeve të pamjaftueshme, sqarojnë disa analistë.
OPEC raportoi se një fuçi e shportës së naftës të anëtarëve të tij qëndroi në 92.17 dollarë të hënën, që do të thotë se çmimi i saj ishte pothuajse i pandryshuar nga fundi i javës së kaluar.