Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka deklaruar të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështje urgjente.
Chollet në një takim me gazetarët nga Kosova, vlerësoi se zbatimi i Asociacionit ka marrë rëndësi më të madhe pas ngjarjeve të fundit veri të Kosovës.
“Themelimi i Asociacionit të komunave serbe është një çështje urgjente. Dhe, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut. Kjo ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në Veri. E kemi thënë privatisht dhe publikisht. Është një mesazh që e përsërita këtu sot. Ne presim që qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë. Unë thjesht dua të jem shumë i qartë, megjithatë, se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një marrëveshje si Republika Srpska”, tha Chollet.
Sipas numrit dy të Departamentit Amerikan të Shtetit, SHBA-të nuk po kërkojmë nga Kosova që të mbështesë asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me ligjet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
Ai ka bërë thirrje se marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejtë që është e mundur. Chollet tutje ka deklaruar se ka parë një vullnet të fuqishëm të Qeverisë për të përvjelur mëngët në kuadër të procesit të dialogut, që sipas tij, i garanton Kosovës integrim në strukturat euro-atlantike.
Këshilltari i lartë në Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet pas takimeve të shumta me krerë institucional e liderë të partive politike në Kosovë, ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë në kuadër të dialogut, duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.
Ai mes tjerash ka treguar se me Kosovën e ka një lidhje të veçantë pasi kishte punuar për diplomatin tashmë të ndjerë, Richard Holbrook. “Histori e gjatë e marrëdhënieve të mia personale me Kosovën. E duam Kosovën multietnike, sovrane dhe demomratike”, tha Chollet. /Gazeta10