Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Ai ka shkruar se e ka dënuar dhunën kundër Policisë së Kosovës ku ka mbetur i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.
“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti për sulmin e tmerrshëm të dielën në Kosovë. Dënova ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të implementojnë premtimet e (marrëveshjes së) Ohrit”, ka shkruar Chollet.
Derisa ka njoftuar për bisedën me presidentin e Serbisë, Chollet ka thënë se ka theksuar rëndësinë e de-përshkallëzimit dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet.