Çfarë është marrëveshja e grurit me Ukrainën dhe pse Rusia po kërcënon të tërhiqet?
Lexohet për: 5 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Rusia po kërcënon të mos e zgjasë marrëveshjen e saj të grurit me Ukrainën pas 17 korrikut, kur ajo skadon, shkruan BBC.

Gjatë vitit të kaluar, marrëveshja i ka mundësuar Ukrainës të eksportojë mbi 32 milionë tonë drithë dhe ushqime të tjera në mënyrë të sigurt nëpër Detin e Zi, pavarësisht luftës.

Pse është e nevojshme marrëveshja e grurit?

Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të lulediellit, misrit, grurit dhe elbit.

Kur Rusia e pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, anijet e saj detare bllokuan portet e Ukrainës, duke bllokuar rreth 20 milionë tonë drithë. Kjo bëri që çmimet globale të ushqimeve të rriten.

Gjithashtu kërcënoi furnizimet me ushqim për një numër vendesh të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, të cilat mbështeten shumë në grurin ukrainas.

OKB-ja paralajmëroi se 44 milionë njerëz në 38 vende po përballeshin me "nivele urgjente të urisë".

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së grurit në korrik të vitit 2022, çmimet botërore të ushqimeve janë ulur me rreth 20%, sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë.

Marrëveshja e grurit me Ukrainën e nevojshme për të ushqyer botën - kreu i Programit Botëror i Ushqimit

Pse Rusia po kërcënon të tërhiqet nga marrëveshja e grurit?

Marrëveshja është menduar të zgjatet për 120 ditë, por në mars dhe maj të vitit 2023, Rusia ra dakord për zgjatje prej vetëm 60 ditësh.

Tani po kërcënon të tërhiqet plotësisht.

Ajo dëshiron që sanksionet perëndimore të lehtësohen për t'u mundësuar prodhuesve të saj të eksportojnë më shumë ushqime dhe plehra.

Nuk ka sanksione specifike kundër eksporteve bujqësore ruse, por Moska argumenton se sanksione të tjera i pengojnë bankat ndërkombëtare dhe firmat e transportit detar të bëjnë biznes me prodhuesit e saj.

Rusia u tërhoq përkohësisht nga marrëveshja në nëntor të vitit 2022, duke akuzuar Ukrainën për nisjen e një sulmi "masiv" me dron në flotën e saj në Krime nga anijet në korridorin e sigurt të transportit në Detin e Zi.

Si funksionon marrëveshja e grurit?

Më 22 korrik 2022, Rusia dhe Ukraina nënshkruan Iniciativa për drithërat e Detit të Zi - një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia.

Ajo lejon anijet e mallrave të kalojnë të sigurta përmes Detit të Zi, përgjatë një korridori 310 milje detare të gjatë dhe tre milje detare të gjerë, për dhe nga portet e Odesa, Chornomorsk dhe Yuzhny/Pivdennyi.

Sa drithëra janë eksportuar?

Qendra e Përbashkët e Koordinimit të OKB-së, e cila drejton skemën, thotë se që nga fillimi i saj, 32 milionë ton produkte ushqimore janë dërguar nga Ukraina, gjithashtu edhe plehra.

Në qershor të vitit 2023, Ukraina eksportoi më pak se 1.4 milion ton produkte ushqimore. Nëntë muaj më parë, ajo kishte eksportuar rreth katër milionë tonë në muaj.

Kjo është pjesërisht sepse fermerët ukrainas po prodhojnë më pak, për shkak të luftimeve të vazhdueshme në pjesë të mëdha të vendit.

Megjithatë, qeveria e Ukrainës thotë se Rusia ka vonuar gjithashtu anijet e ngarkesave që shkojnë në portet e saj për t'i ngarkuar me produkte ushqimore, duke i ndaluar ato të inspektojnë për armë.

"Ukraina e ka akuzuar atë se është tepër zgjedhëse me inspektimet," thotë Bridget Diakun, nga revista e transportit “Lloyds List”. Zakonisht në hyrje të Detit të Zi ka një radhë prej rreth 100 anijesh.

Ku shkojnë eksportet e ushqimit të Ukrainës?

OKB thotë se nga të gjitha produktet ushqimore që Ukraina ka eksportuar sipas marrëveshjes së grurit:

47% kanë shkuar në "vendet me të ardhura të larta" duke përfshirë Spanjën, Italinë dhe Holandën.

26% kanë shkuar në “vendet me të ardhura të mesme të larta” si Turqia dhe Kina

27% kanë shkuar në "vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta" si Egjipti, Kenia dhe Sudani

Presidenti rus Vladimir Putin ka kritikuar Ukrainën se nuk eksporton më shumë në vendet në zhvillim.

Por OKB-ja thotë se nga marrëveshja e grurit kanë përfituar njerëzit në mbarë botën sepse ka sjellë më shumë produkte ushqimore në tregun global dhe për këtë arsye ka ulur çmimet globale.

OKB thotë se sipas marrëveshjes së grurit, ajo ka dërguar 625,000 tonë nga Ukraina për ndihmë humanitare në Afganistan, Etiopi, Kenia, Somali, Sudan dhe Jemen.

Në vitin 2022, më shumë se gjysma e grurit të blerë nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së erdhi nga Ukraina.

Fotografitë ofrojnë dëshmi të vjedhjes ruse të grurit

Si janë prekur vendet e tjera të Evropës Lindore?

BE hoqi kufizimet tregtare mbi eksportet e ushqimit ukrainas në vendet anëtare në fillim të luftës, për të ndihmuar ekonominë e Ukrainës. Kjo shkaktoi një tepricë të grurit dhe produkteve të tjera ushqimore në vendet fqinje të Evropës Lindore.

Qeveritë e pesë prej këtyre vendeve - Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë, Rumanisë dhe Bullgarisë - janë ankuar se vërshimi i produkteve ushqimore të lira ukrainase ka goditur të ardhurat e fermerëve të tyre.

BE ka rënë dakord të kufizojë eksportet e ushqimit të Ukrainës në këto vende deri më 15 shtator.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024