Trajneri legjendar italian, Fabio Capello goditi Thomas Tuchel për “gabimet e pabesueshme” në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve pasi Bayern Munichu u eliminua nga Real Madridi i Carlo Ancelottit.
Capello është një ekspert i rregullt në “Sky Sport Italia” për mbulimin e tyre të ndeshjeve evropiane dhe ishte në studio për takimin e mbrëmshëm. Ndeshja e parë përfundoi 2:2 në Munih dhe Bayerni kryesonte 1:0 në “Bernabeu” derisa epërsia u shkatërrua nga dy golat e Joselut në minutat 88’ dhe 91’, raporton KosovaPress.
“Ai i përdori keq të gjitha vendet e zëvendësimit, kështu që nuk ishte në gjendje të bënte ndryshimin e pestë. Kishte lojtarë me ngërç, si Pavlovic. Tuchel bëri një gabim strategjik dhe dikush si ai nuk mund të bëjë gabime të tilla të pabesueshme", tha Capello.
Bayern Munich ishte detyruar në një ndryshim të hershëm kur Serge Gnabry doli i dëmtuar pas 27 minutash lojë, por zëvendësuesi i tij Alphonso Davies ishte ai që e kaloi Bayernin në epërsi.
Nga ana tjetër, trajneri i Real Madridit, Ancelotti, dëshmoi përvojën e tij në këtë nivel, veçanërisht me një turne që e ka fituar katër herë tashmë.
“Ancelotti i bëri zëvendësimet e duhura, ai e dinte se Real Madrid mund ta kthente atë në 15 minutat e fundit”, tha Capello.
“Është ajo që ai tha para ndeshjes, ai thjesht i vendos lojtarët në një pozicion që të japin më të mirën e tyre, të ndihen të lirë dhe të shprehen në maksimum potencialin e tyre”, tha Capello.
Real Madridi tani do të përballet me Borussia Dortmundin në finalen e Ligës së Kampionëve në stadiumin Wembley të shtunën më 1 qershor.