Cameron në Shqipëri, Rama: Do të kemi mbështetje për dy projekte në Durrës
Lexohet për: 4 min.
Edi Rama
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në konferencën e përbashkët me sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-in dhe Zhvillimin e Britanisë së Madhe, Lord David Cameron, u ndal te diskutimet që kanë zhvilluar së bashku.

Rama tha se fokusi është vendosur në raportet dypalëshe mes dy vendeve, ndërsa shtoi se Britania e Madhe do të mbështesë projektin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Po ashtu Rama u shpreh se shumë shpejt do të hapet gara për portin tregtar në Durrës.

“Sot ne kemi diskutuar për marrëdhëniet tona shumë të mira dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre për të cilin kemi folur, qoftë në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO, qoftë edhe në aspektin e marrëdhënieve bilaterale në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë dhe pa hyrë në të gjitha planet e bashkëpunimit tonë bilateral, unë dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, për Kosovën, por edhe për rajonin që është hekurudha Durrës- Prishtinë, e cila është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajon dhe më gjerë, duke pasur parasysh që së shpejti ne hapim garën ndërkombëtare për Portin e Ri Tregtar të Durrësit”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se janë në pritje të përgjigjes përfundimtare te NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durrësit.

“Njëkohësisht siç jeni të informuar edhe Kosova do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë. Për të gjitha këto së bashku ky është një projekt që tejkalon thjesht dhe vetëm interesin e vetëm të dy vendeve tona dhe në të cilin Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin të përfshihet, qoftë me financimin, qoftë edhe me ekspertizën dhe unë i jam mirënjohës Sekretarit pasi është siç thashë, është një avokat shumë i rëndësishëm i yni në mbështetje të të gjitha proceseve transformuese të rajonit tonë”, shtoi ai.

Në takim u bisedua edhe mbi projektin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe bashkëpunimin në rajon.

“Lordi Cameron është një mbështetës i vendosur i këtyre procese dhe dihet botërisht që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe  Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë po ku në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi ndihet edhe rreziku i kthimit prapa”, ka thënë Rama.

Ai ka falënderuar Lordin Cameron për gatishmërinë  për të mbështetur ofrimin e Shqipërisë që vitin e ardhshëm të bëhet vendi pritës i Samitit të madh të komunitetit të përbashkët evropian që do të mbahet për vit më 18 korrik në Londër.

Cameron ka mbërritur në Tiranë ditën e sotme. Ai është mirëpritur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në aeroport. Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe pritet të takohet edhe me presidentin Bajram Begaj.

Top Channel raporton në fokus të vizitës nuk është ndonjë çështje specifike, por vijimi i mbështetjes britanike për Shqipërinë.

Ndryshe, disa ditë më parë, kryeministri Rama pati një bisedë telefonike me homologun Rishi Sunak, i vënë nën presion nga opinioni publik dhe të tijtë brenda Partisë Konservatore për kalimet e Lamanshit me gomone të emigrantëve ilegal.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024