Bytyçi: Rezoluta e Parlamentit Evropian do të forcojë pozicionin e Kosovës
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Miratimi i rezolutës nga Parlamenti Evropian ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit do të forcojë pozicionin e Kosovës dhe do t’i jep legjitimitet qëndrimit se Serbia është e përfshirë në organizimin e aktit të agresionit ndaj Kosovës më 24 shtator, thotë njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Seb Bytyçi.

Bytyçi për KosovaPress se kualifikimi i sulmit si terrorist dhe nënvizimi se do të kërkohet përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje është dëshmi për ndryshim të qasjes së Bashkimit Evropian.

Ai thekson se rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian do të jetë një lloj presioni më i madh ndaj Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të ndërmarrin hapa ndëshkues ndaj Serbisë.

“Dihet se s’ka shumë ndikim të madh Parlamenti Evropian, por ka ndikim në formimin e opinionit publik dhe kjo është një konfirmim që opinioni publik kërkon që të ketë një reagim nga BE-ja. Tashmë e kemi pa se ka zvarritje nga institucionet e BE-së, mirëpo kjo dëshmon se duhet të ketë një reagim nga Komisioni dhe Këshilli Evropian”, thekson ai.

Sipas tij, institucionet kosovare duhet të shfrytëzojnë momentumin e krijuar dhe tash të kërkojë të rikthehet njohja reciproke në qendër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Përveç kësaj, ai e sheh të rëndësishme edhe shuarjen e strukturave të ilegale në veri.

Megjithëse në rezolutë përmenden edhe heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, Bytyçi e sheh si të vështirë këtë pasi të njëjtat po përdoren si mjet presioni ndaj vendit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në veri.

Ai shton se zgjedhjet në veri mund të mbahen, por vetëm përmes peticionit që do të mundësonte largimin e kryetarëve aktual.

Parlamenti Evropian të enjten ka miratuar rezolutën me të cilën dënon sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Në rezolutë, sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat, të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjskës. /E.Zeqiri/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim

Parlamenti Evropian me rezolutë dënon sulmin në Banjskë, e cilëson terrorist - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024