Një burrë ka therur dhe plagosur dy turistë, një burrë dhe një grua, të martën në mëngjes pranë Akropolit të lashtë në Athinë, një prej atraksioneve kryesore turistike të Greqisë, njoftoi policia greke.
Viktimat ishin dy shtetas greko-amerikanë, pranë hyrjes së Muzeut të Akropolit, i cili ndodhet në rrëzë të kodrës së Akropolit. Gruaja ka pësuar lëndime të lehta në këmbë, ndërsa burri është plagosur më rëndë në krah, tha policia, shkruan AP, transmeton KosovaPress.
Sulmet e dhunshme në rrugë janë të rralla në Greqi. Në prill, autoritetet arrestuan një 89-vjeçar, i cili dyshohet se nisi zjarr me armë gjahu në një zyrë të sigurimeve shoqërore dhe në një gjykatë në qendër të Athinës, duke plagosur të paktën katër persona. Sipas raportimeve, incidenti raportohet se kishte të bënte me pakënaqësi lidhur me sigurimet shoqërore.
Kodra e Akropolit në Athinë është shtëpia e tempullit gati 2,500-vjeçar të Partenonit, si dhe monumenteve të tjera, dhe tërheq miliona turistë. Vitin e kaluar, rreth 4.6 milionë njerëz vizituan këtë destinacion.