Analisti amerikan, Janusz Bugajski ka deklaruar se Rusia e sheh Ballkanin si një aset strategjik ku mund të minojë rolin e institucioneve perëndimore dhe të pretendojë se NATO ka dështuar të sigurojë stabilitet.
Në një analizë për mediumin boshnjak Istraga.ba, Bugajski ka thënë se aleati kryesor i Vladimir Putin në rajon është presidenti serb Aleksandar Vuçiq me të cilin ai ka një marrëdhënie simbiotike.
Ai ka theksuar se një kombinim i pamjaftueshmërisë së BE-së, mos vëmendja amerikane dhe rritja e tensioneve lokale, kanë fuqizuar qeverinë nacionaliste të Serbisë për të përshkallëzuar pretendimet ndaj territoreve fqinje.
“Rajoni po përgatitet me mosmarrëveshje të pazgjidhura që ofrojnë një thesar mundësish për Moskën edhe pse po humbet luftën në Ukrainë”, thotë Bugajski.
“Ndërsa mediat serbe lëshojnë dezinformata të vazhdueshme kundër Kosovës, Vuçiq po riciklon justifikimet që çuan në luftë dhe gjenocid në vitet 1990, kur ai shërbeu si ministër i informacionit i Millosheviqit. Nocioni se serbët janë të persekutuar në Kosovë supozohet të pasqyrojë gjithashtu pretendimet e prodhuara të Rusisë kundër Ukrainës”, thotë Bugajski.
Ai ka theksuar se bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të arrijnë disa marrëveshje, si me marrëveshjen e fundit për lëvizjen e lirë, por pa një afat të caktuar për njohjen ndërshtetërore ato do të vazhdojnë pafundësisht.
“Beogradi dhe Moska llogaritin se nxitja e konfliktit në veri të Kosovës do t'i shpërqendrojë zyrtarët perëndimorë nga marrja e ndonjë vendimi të vështirë për njohjen reciproke nga frika e dhunës”, thotë ai.
Moska gjithashtu bashkëpunon ngushtë me kreun e entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë, Milorad Dodik, ambicia e deklaruar e të cilit është ndarja e Bosnjës dhe krijimi i një shteti tjetër serb. Moska i ofron atij forma të ndryshme të ndihmës ekonomike, ushtarake dhe propagandistike. Sanksionet e BE-së nuk kanë arritur ta pengojnë Dodikun, ndërsa ambiciet e nacionalistëve kroatë për të krijuar një entitet të tretë etnik në Bosnje e kanë ndihmuar gjithashtu atë dhe klientët e tij në Moskë. Në mënyrë paradoksale, lëvizjet për të minuar integritetin boshnjak janë ndihmuar nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), zyrtarët e së cilës me sa duket nuk arrijnë të kuptojnë se konsolidimi i çifligjeve etnike në Bosnje përmes zgjedhjeve të pjerrëta është një recetë për konflikt të armatosur, thotë tutje Bugajski.
“Jeta e shkurtër e qeverisë Dritan Abazoviq nuk është befasuese duke pasur parasysh gatishmërinë e saj për të minuar sovranitetin malazez duke nënshkruar marrëveshje të privilegjuara me Kishën Ortodokse Serbe – një organizatë që nuk e njeh shtetësinë malazeze. Për më tepër, pretendimet se qeveria po luftonte unazën e korrupsionit është e zbrazët dhe hipokrite, kur aleatët e saj më të ngushtë kanë qenë partitë dhe liderët fetarë të korruptuar nga Moska dhe në bashkëpunim me zyrtarët serbë. Një hetim i lidhjeve të paligjshme ruse të secilit lojtar të madh politik do të ishte një shkak i denjë për gazetarët dhe OJQ-të malazeze, si dhe për të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit”, ka thënë Bugajski.
Bugajski në analizën e tij thotë se Shqipëria gjithashtu mund të tërhiqet në një konflikt rajonal përmes subversionit rus. Ai kujton se depërtimi i fundit i objekteve ushtarake shqiptare dhe sulmet ndaj tre ushtarëve shqiptarë është një provokim i qartë për të trazuar vendin dhe për të krijuar më shumë probleme për NATO-n.
Ai ka theksuar se BE ka zvarritur bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërkohë që anëtarësimi për Bosnjën dhe Kosovën është një perspektivë e largët.
Bugajski është treguar kritik edhe për administratën e presidentit Joe Biden, e cila sipas tij, po e po lejon gjithashtu Rusinë të depërtojë në rajon duke pranuar pohimet e Vuçiq se ai është properëndimor dhe nuk dëshiron të largojë mbështetësit e tij duke sanksionuar Rusinë.
Për të shmangur një zjarr të ri, objektivat e politikave agresive të Serbisë, Bugajski thotë Bosnje-Hercegovina dhe Kosova kanë nevojë për anëtarësim në NATO dhe se forcat properëndimore në Mal të Zi kanë nevojë për mbështetje më të fortë që do të anashkalonte nacionalistët pro-Moskë të promovuar nga Vuçiq.
“Pa një udhërrëfyes të qartë për të garantuar sigurinë rajonale, Uashingtoni dhe Brukseli do ta gjejnë veten duke u përpjekur të shuajnë më shumë zjarre në vend që të çarmatosin zjarrvënësit”, ka përfunduar Bugajski.