Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka marrë vendim për pezullim të grevës. Vendimi është dhënë në një konferencë të jashtëzakonshme ku morën pjesë përfaqësuesit e sindikatave anëtare. Në këtë konferencë u tha se vendimi u mor me votat e shumicës së anëtarësisë për hir të nxënësve dhe prindërve dhe se Qeveria e Kosovë nuk duhet që këtë ta marrë si fitore por të reflektojë për të rikthyer dialogun social.
“Qeveria dhe opinioni le ta dijë se greva nuk po mbyllet, por po pezullohet deri në janarin e vitit 2023, bazuar në vullnetin e deklaruar të anëtarësisë edhe pse rezultatet e deklarimeve u pa se janë me diferencë jo shumë të madhe nëse i marrim pro pezullimit dhe kundër pezullimit. Kjo është fryma demokratike në sindikatat tona. Uroj që kjo kohë të shfrytëzohet nga qeveria për dialog të mirëfilltë sepse janari i vitit 2023 vjen shpejtë por nuk është mirë të ndodhin prape greva si kjo e tanishmja”, tha Jasharaj.
Jasharaj tha se pezullimi nuk duhet të merret si fitore nga Qeevria e Kosovës. Ai tha se deklarimet nxitëse të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, të krijonin bindjet sikur ata po dëshironin që greva të vazhdonte në mënyrë që të tërhiqej vëmendja nga problemet e tjera.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, tha se greva nuk ishte akt personal i askujt por mjet i fundit presioni ndaj Qeverisë për të realizuar kërkesat e tyre.
“Greva ka qenë e ligjshme, ka qenë e nevojshme, tash ka hyrë në javën e pestë dhe greva ishte detyrim sindikal dhe u përdor si mjet i fundit presioni në raport me partnerin social, Qeverinë. Greva nuk ishte dhe nuk do të jetë akt personal i askujt, as individual e as grup të individëve, por mjet i organizimit sindikal”, tha ai.
“Sapo mu konfirmua që Qeveria e Kosovës në kundërshtim me ligjin për organizmin sindikal, neni 21, nuk ka proceduar kuotën sindikale q është obligim i cili del mbi organizimin sindikal, prandaj i bëj ftesë Qeverisë së Kosovës që me urgjencë ta respektojë këtë ligj dhe të derdhë mjetet e anëtarësisë në xhirollogaritë e sindikatave në të kundërtën ne do të kuptojmë si disavantazh, si cenim i të drejtës sindikale, por edhe si shkelje e drejtpërdrejtë e ligjeve ë ku ka ë keq se vetë qeveria të jetë shkelëse e ligjit”, tha Gashi.
BSPK filloi grevën më 25 gusht me kërkesën për 100 euro për punëtorë për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga. Qeveria ofroi 50 euro për 4 muaj, gjë që nuk u pranua nga sindikalistët.