Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2024.
Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, veprimtaria e sistemit financiar vazhdoi ecurinë pozitive. Pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, në sektorin bankar depozitat u zgjeruan dhe ritmi i rritjes së kredisë u përshpejtua.
Sipas Deklaratës, zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, si edhe qëndrueshmëria e performancës së turizmit.
Rritja ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit e të pagave dhe ulje të normës së papunësisë. Gjendja financiare e familjeve dhe e bizneseve vlerësohet e përmirësuar gjatë periudhës. Politika fiskale ruajti prirjen konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste vijuan të bien dhe norma e inflacionit zbriti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke sjellë uljen prej saj të normës bazë të interesit.
Ndaj, në Deklaratë vlerësohet se të gjithë agjentët e ekonomisë kanë mundësinë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të veprimtarisë për të konsoliduar bilancet e tyre financiare, për të përmirësuar kapacitetet administruese në përgjithësi dhe të rreziqeve në veçanti, si edhe për të rritur eficiencën e veprimtarisë.
Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.