Martin Braithwaite ka kritikuar Barcelonën për mënyrën se si u trajtua në klub para largimit të tij në fillim të këtij muaji.
Gjiganti katalunas dëshironte me çdo kusht që sulmuesi të largohej gjatë verës, për shkak të vështirësive të vazhdueshme financiare në klub, përcjell KosovaPress.
31-vjeçari u përjashtua nga Xavi dhe u la jashtë skuadrës së ditës së ndeshjes për tre ndeshjet e para të La Ligas të këtij sezoni, pasi kishte luajtur vetëm 10’ minuta futboll në kampionatin spanjoll në sezonin 2021/22.
Duke folur për mediumin danez “Ekstra Bladet”, Braithwaite tregoi mënyrën se si mbaroi koha e tij te Barcelona.
“Kështu është. Unë e di se si funksionojnë gjërat në këtë botë. Fatkeqësisht, futbolli është gjithashtu një biznes”, shtoi më tej sulmuesi danez.
Braithwaite ishte një transferim shokues për Barcelonën nga Leganes në shkurt të vitit 2020, veçanërisht pasi ai kishte luajtur për Middlesbrough në Championshipin anglez vetëm një vit më parë.
“Në shumë mënyra, unë mund të buzëqesh vetëm pak për të gjitha gjërat që kanë ndodhur prapa skenave. Mendoj se kam hedhur poshtë shumë kritikë. Unë isha golashënuesi më i mirë sezonin e kaluar para se të lëndohesha”, tha Braithwaite.
“Xavi nuk besonte në aftësitë e mia, ndaj më duhej të largohesha. E dija prej kohësh që trajneri nuk besonte në mua dhe se duhej të largohesha nga Barcelona”, shtoi më tej danezi.