Borxhi i Britanisë u hodh në një rekord prej 22 miliardë funta në nëntor
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Huamarrja publike e Britanisë u rrit papritur muajin e kaluar, duke arritur nivelin më të lartë të çdo nëntori të regjistruar.

Mbështetja e qeverisë për familjet dhe bizneset me faturat e energjisë dhe rritjen e pagesave të interesit e shtynë huamarrjen publike të vendit në një rekord prej 22 miliardë funte në nëntor, raporton Guardian.

Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) tha se qeveria shpenzoi më shumë sesa mori nga taksat dhe artikujt e tjerë, që do të thotë se duhej të merrte hua 13.9 miliardë funte më shumë në nëntor se një vit më parë.

Kjo e rriti huamarrjen në nëntor në një nivel rekord për atë muaj që kur të dhënat mujore filluan të publikoheshin në vitin 1993, specifikon teksti.

Huamarrja e sektorit publik ishte gjithashtu më e lartë muajin e kaluar sesa në kulmin e pandemisë së koronavirusit, kur qeveria nisi programe masive të shpenzimeve qeveritare për të mbështetur konsumatorët dhe bizneset gjatë bllokimeve të shumta të njëpasnjëshme.

Mbështetja financiare për njerëzit dhe bizneset për të përballuar rritjen e faturave të energjisë ishte kryesisht përgjegjëse për rritjen e pagesave të ndihmës në 13.2 miliardë funte, me 3.3 miliardë funte më shumë se një vit më parë, shkruan gazeta londineze.

Ndikimi i inflacionit ndihet edhe në financat e qeverisë. Domethënë, nga mesi i vitit 2021, shteti duhej të paguante interes më të lartë për borxhin e tij, kryesisht për shkak të rritjes së inflacionit, sipas ONS.

Interesi i borxhit të qeverisë qendrore në muajin nëntor ishte 7.3 miliardë funte, nga të cilat 4.3 miliardë funte u ndikuan nga inflacioni. Shuma e interesit të paguar ishte 2.4 miliardë funte më e lartë se në nëntor 2021 dhe më e larta në një muaj të vetëm që nga viti 1997, kur indeksi filloi të matej.

Skema e qeverisë për të ndihmuar familjet me faturat e energjisë elektrike i kushtoi vendit 1.9 miliardë funte në nëntor, shton Guardian.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024