Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dje takoi në Nju Jork në një drekë pune liderët e Ballkanit Perëndimor.
Takimi i u zhvillua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në takimin me Josep Borrell ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell theksoi se Ballkani Perëndimor është një pjesë integrale e së ardhmes së Evropës. Ai theksoi rëndësinë dhe forcën e lidhjeve BE-Ballkani Perëndimor dhe përsëriti se anëtarësimi në BE është i arritshëm, me kusht që reformat kyçe të ndiqen me fokus të ri.
“Takimi ishte një mundësi për të kujtuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese dypalëshe. Përfaqësuesi i Lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të arritura përmes dialogut dhe kompromisit si hapa thelbësorë drejt integrimit në BE. Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të çuar përpara aspiratat e tyre evropiane”, citohet Borrell në njoftim.Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova, Kryetari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës Denis Beqiroviç, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe zëvendëskryeministri për Punë të Jashtme dhe Evropiane të Malit të Zi, Filip Ivanoviq morën pjesë në takim.