Shefi i diplomacisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka diskutuar në Bruksel me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe avancimit të rrugës së Beogradit drejt bllokut evropian.
Sa i përket dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Borrell ka kërkuar angazhim në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese mes palëve për normalizimin e raporteve.
Palët, që dialogojnë nga viti 2011, vitin e kaluar arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Gjatë takimit në Bruksel më 17 korrik me Gjuriqin, Borrell ka biseduar edhe për avancimin e rrugës drejt BE-së dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.
“Përfaqësuesi i lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së Serbisë me qëndrimet dhe vendimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë, përfshirë edhe në kontekstin e luftës së agresionit të vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës. Përfaqësuesi i lartë ka shprehur pritjet e fuqishme të BE-së që Serbia të rrisë përpjekjet e saja drejt përshtatjes së plotë të qëndrimeve, përfshirë edhe masat restriktive”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Megjithatë, BE-ja ka falënderuar Serbinë për ndihmën ofruar Ukrainës, pa specifikuar se për çfarë ndihme bëhet fjalë.
“Përfaqësuesi i lartë është në dijeni për ndihmën që Serbia po i ofron Ukrainës dhe popullit të saj”, tha blloku evropian.