Borrell: Dhuna në veri duhet të dënohet, autorët të japin llogari
Lexohet për: 1 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se dhuna nuk është rruga e duhur për të zgjidhur situatën në veri të Kosovës. Ai ka thënë se dhuna duhet të dënohet dhe autorët e saj duhet të japin llogari.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së pret që të zhvillojë takim edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas atij që ka mbajtur të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Pres të kem një takim me presidentin Vuçiq, dje takova kryeministrin Kurti kështu që duhet të insistojmë që dhuna nuk është rruga, dhuna duhet të dënohet, dhe autorët e kësaj dhune duhet të japin llogari. Dhe të gjithë duhet të përpiqen të shmangin çdo lloj përshkallëzimi dhe lëvizje të pakoordinuara”, ka deklaruar Borrell.
Josep Borrell ka folur në margjinat e samitit të liderëve evropianë në Moldavi.