Boris Johnson mund të jetë kreu i ri i NATO-s
Lexohet për: 3 min.
boris-johnson-1585314869-1
2 vite më parë
Linku u kopjua

Boris Johnson po përflitet se mund të jetë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, pasi mandati i Jens Stoltenberg të përfundojë vitin e ardhshëm. Figura të larta të Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë ata që kanë konfirmuar të parët lajmin për agjencinë e lajmeve britanike, The Telegraph, dhe së bashku me disa deputetë ukrainas ata po lobojnë që ish-kryeministri britanik të marrë udhëheqjen e NATO-s vitin e ardhshëm.

Ndër figurat që po lakojnë emrin e Johnson është edhe ish-ministri i Brexit, David Jones i cili e quan këtë një “ide brilante”. “Boris ka qenë në ballë të nismës perëndimore kundër Putin. Boris, ishte ai që shkoi në Suedi dhe në Finlandë dhe i bëri thirrje liderëve të të dy shteteve të aplikonin për anëtarësim në NATO” – tha ai.

Johnson është deklaruar qytetar nderi në Odessa pas mbështetjes së tij për Ukrainën, dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelensky shprehu “trishtimin” e tij pas dorëheqjes së tij si kryeministër duke e përshkruar atë si “hero”.

Ndërkohë, deputeti ukrainas Oleksi Gonocharenko ka qenë ndër zërat kryesor në Ukrainë që ka dalë në mbështetje të kësaj ideje duke thënë se “Udhëheqja e Johnson gjatë luftës bëri të mundur që ndihma ushtarake, ekonomike dhe humanitare të mbërrinin në Ukrainën.” “Ai do të ishte personi i duhur që të zëvendësonte Jens Stoltenberg pasi ai i kupton sfidat me të cilat përballen NATO dhe Perëndimi. Ai do të mbështesë Ukrainën në luftën tonë kundër Hitlerit të shekullit 21” – tha ai.

Kjo do të ishte hera e katërt që britanikët marrin përsipër këtë rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, por zërat kritik mendojnë se në këtë iniciativë, Boris Johnson me shumë mundësi mund të haset me veton e Francës. Një zyrtar i lart i ministrisë së mbrojtjes britanike, i cili preferoi të mbetej anonim, tha për The Telegraph, se ‘Ka një probabilitet të lartë që Emmanuel Macron të mos e votojë këtë propozim’.

“E vërteta është se NATO funksiono në bazë të konsensusit. Çdo shtet mund të vendosë veto-n. Vërtetë mendoni se Macron do ta nominojë Johnson si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s? Kjo do të ishte një sfidë në vete për çdo kandidat britanik, dhe pikë. Atij do t’i duhej mbështetja e SHBA-së dhe ‘po’-ja e Francës” – tha ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025