Kryesuesi i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Skënder Haziri po kërkon sërish shtrenjtim të energjisë elektrike për qytetarët, për të pasur siç tha ai investime dhe sistem të qëndrueshëm energjetik në vend.
Gjatë dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike, Haziri ka folur edhe për transferimin e subvencionit qeveritar, miliona euro nga KEK-u tek kompania private KESCO për blerje të rrymës.
“Është bërë shtrenjtimi i rrymës pothuajse pa nevojë, ka pasur subvencione, milionat kanë shkuar dhe KEK ka qenë në gjendje diku 95 për qind me mbulu tërësinë për energjinë”, theksoi Lekaj.
Por këtë rritje e ka arsyetuar kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Haziri dhe për më tepër tha se është e nevojshme të rriten sërish çmimet e energjisë elektrike.
Ndaj kërkesës së kryesuesit të Bordit ka reaguar deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.
Shefja e GP të VV-së, i tha Hazirit se nuk është ftuar në komision të flasë për tarifat.
Pas kësaj pati edhe një përplasje ndërmjet kryetarit të Komisionit, Driton Selmanaj dhe deputetes Mimoza Kusari Lila, kur nuk iu dha fjala deputetes në fjalë.
Nuk jeni duke na ndihmuar neve tjerëve fare për të kuptuar situatën. Ne e kemi të ftuarin këtu për pyetje përgjigje.
Nuk po më duhen sqarimet nga ana e juaj, të themi të drejtën. Ne kemi të ftuarin këtu dhe marrim përgjigje.
Gjatë këtij raportimi , kryesuesi Haziri ka komentuar edhe kërkesën e qeverisë, për milionat e subvencionit për KEK-un që janë bartur tek kompania private, KESCO për blerje të energjisë.
“Edhe transferimi i mjeteve te KEK-u, është një marrëveshje për të cilën ka vendosur Ministria e Ekonomisë, edhe te rasti i kalimit(te KESCO), prapë kontrata është nënshkruar prej të njëjtit person. Ka qenë vendim i ministrisë dhe i qeverisë për me i kalu ato mjete nuk ka qenë vendim i KEK-ut. KEK-u e ka ekzekutuar një kërkesë të qeverisë”, tha ai.
Në këtë komision gjatë ditës është intervistuar edhe ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kompanisë publike KOSTT, Kadri Kadriu. /I. Shabani/