Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka emëruar Burim Lecin në pozitën e zëvendës drejtorit ekzekutivë operativë të AKP-së, i vlerësuar kandidati me më së shumti pikë nga procesi i konkursit publik.
Gjatë kësaj mbledhje Bordi aprovoi shitjen e aseteve përmes likuidimit numër 67, me gjithsej 36 asete.
Përveç kësaj, Bordi diskutoi edhe për procesin e qiradhënieve të pronave të ndërmarrjeve shoqërore në administrim të AKP-së, shqyrtoi rezultatet e shpalljes publike për qiradhënien e 233 aseteve dhe aprovoi ofertat me çmimet më të larta të ofruara, si dhe vendosi për një numër kërkesave nga institucionet publike dhe private për qiradhënie direkte të aseteve në pronësi shoqërore.
Bordi diskutoi edhe për gjendjen në ndërmarrjen “Brezovica”, ku gjatë këtij viti janë shtuar të hyrat krahasuar me periudhën e mëparshme.
Bordi u informua nga menaxhmenti i AKP-së lidhur me raportin përfundimtar të procesit të likuidimit të ndërmarrjes zejtare ndërtimore “Muharrem Bekteshi”, në Mitrovicë të Jugut, “Erozioni”, “Stacioni i Veterinës Kaçanik”, “Trepça Konfeksioni” dhe për “Bagat Zare”. kurse miratoi inicimin e procedurave të likuidimit për tri ndërmarrje shoqërore “Stacioni i Veterinës”, Podujevë, “ATM-PR”, Zagreb dhe Ndërmarrjen Botuese “Veselin Maslesha”, Sarajevë.
Bordi aprovoi po ashtu propozimet e Autoritetit të Likuidimit për kërkesat për heqje dorë prej 9 rasteve të ndërmarrjeve shoqërore, përfshirë objekte dhe parcela me interes publik.