Për shkak të shkurtimit të buxhetit për transmetuesin publik në vlerë mbi 2 milionë euro nuk është planifikuar shlyerja e të gjitha borxheve të vjetra në këtë medium.
Kështu theksoi kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.Në anën tjetër, në këtë komision pati përplasje ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës për projeksionin e skemës programore të transmetuesit publik dhe për menaxhimin e tij.
“Ne shumë shpejt kemi me hapur konkurs dhe kushdo që është i interesuar prej produksioneve të jashtme ka me mundur me aplikuar dhe ka me qenë i barabartë në këtë aspekt. Pra, e gjithë kjo çështje lidhet me punën e borxheve, sepse shumica e këtyre borxheve janë krijuar prej këtyre produksioneve të jashtme. Kështu që forma e kontraktimit të tyre, ne si bord kemi konsideruar që ka qenë abuzuese dhe është shkaktari krijimit të këtyre borxheve, kështu që ne do të kemi kujdes dhe këtë do ta bëjmë vetëm përmes konkurseve publike. Nuk do të ketë marrëveshje në tavolinë që me fillua emisioni të nesërmen. Pra, këto deri tash nuk kanë shkuar përmes konkurseve edhe kur ka pasur një garë. Kjo ka qenë bashkëprodhim i RTK-së, kanë qenë në kontrata për shërbime", theksoi Boletini.
Sipas tij, kjo mund të krijojë pasoja për RTK-në nga procesi përmbarimor.
"Ju mundeni më thënë që nuk i paguajmi me këto mjete borxhet, por ju vjen përmbaruesi dhe ua merr parat në kategorinë që ajo planifikon. Pra, më mirë është me i paguar borxhet, se sa me marrë një tarifë shtesë për përmbaruesin", theksoi ai.
"Ne kemi dyshime që janë bërë në jo ligjore sa i përket procedurave të brendshme të RTK-së. Sepse ka avancime që nuk janë nënshkruar prej kryeredaktorit dhe prej drejtorit të televizionit. I kemi kërkuar ushtruesit të detyrës t'i evidentojë të gjitha këto raste dhe nëse ka pasur shkelje të procedurave, ata do të degradohen. Dikush kur avancohet ne nuk mundemi apriori me degradua, por kemi me iu jep punë për me bërë punë në terren", tha ai.
Për këtë ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj iu ka dalë në mbështetje kolegëve të tij redaktorë, duke arsyetuar punën e redaktorëve në transmetuesin publik.
Ndërkaq, deputeti nga PDK-ja Ferat Shala ka kritikuar menaxhmentin dhe bordin e ri të RTK-ë për siç tha ai mos pasurimin e skemës programore në këtë kohë të pandemisë.
Shala veçoi mos projektimin e transmetimit ndeshjeve sportive të Kosovës dhe Shqipërisë në eliminatorin e evropianit dhe botërorit.
Për çështjen e transmetimit këtë ka dhënë një sqarim kryetari bordit, Boletini, i cili tha se nuk ka para.
"Folëm për borxhe dhe çështja të tjera. Arsyeja pse nuk ka më shumë sport është se s'ka para", tha ai.
"Si është gjendja në RTK e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës, e dinë edhe kolegu Ferati. E tash nga e njëjta parti që e kanë sjellë RTK-në gati zhbërje, në zhdukje, e tani me kërkuar dhe me dhënë ide e vizion se si me u zhvillua RTK-ja, është e mundimshme me u dëgjuar si kolegë që jemi në komision. Nuk mundemi me kërkuar prej menaxhmentit dhe bordit sot me bërë magji, se s'e kanë shkopin magjik me i zgjidhë të gjitha problemet që janë akumuluar me vite të tëra", deklaroi Haliti.
Pas kësaj deklarate nisi përplasja e ndërmjet kryetarit të Komisionit për Buxhet, Armend Muja, deputetit Ferat Shala e Enever Haliti gjatë raportimit të bordit të RTK-së në këtë Komision, ku nuk iu dha fjala për diskutim këtyre dy deputetëve nga kryetari Muja.
Haliti: kryetar të lutem.
Muja: Unë e kam të drejtën po e ndërpres këtë debat.
Muja: Mendoj se u dha një deklaratë, u kuptua mesazhi...
Shala: Kryetar të lutem një sekond,
Shala: Nuk e thash që s'ka emisione.
Muaja: Ekziston një farë rendi kur flitet.
Ndërkohë, Komisioni nuk pati kuorum për miratimin e raportit të shpenzimeve për periudhën tetor-dhjetor 2021 në RTK.