Reshjet e dendura të borës në Kosovë kanë bërë që sot rrugët të jenë vështirë të qarkullueshme.
Magjistralja Prishtinë-Podujevë ishte vështirë e kalueshme nga bora e dendur që po vazhdon të bie.
Kjo rrugë deri në orën 9:00 nuk ka qenë e pastruar nga kompanitë e pastrimit.
megjithatët, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës thonë për KosovaPress se të gjitha rrugët nacionale, rajonale dhe autostradat janë kalueshme.
Sipas kësaj ministrie, rruga Podujevë-Kërpimeh, është e kalueshme, por qarkullimi po zhvillohet me vështirësi
“Pas reshjeve të fundit të borës në vendin tonë, të gjitha rrugët Nacionale, Rajonale dhe Autoudhët janë të kalueshme. Sa i përket rrugës Podujevë-Kërpimeh, është e kalueshme por qarkullimi po zhvillohet me vështirësi. Kontraktorët nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë qenë aktive pothuajse gjatë tërë natës, menaxheret e MMPHI gjithashtu janë në terren dhe duke e menaxhuar me mjaft sukses situatën”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Kosovapress.
Kjo ministri i ka rekomanduar shoferëve të tregojnë përkujdesje të shtuar gjatë ngasjes së veturave
Ndërsa, Arlinda Kastrati zëdhënëse e komunës së Prishtinës, ka thënë se të gjitha rrugët në kryeqytet janë të kalueshme./KosovaPress/