Mijëra lëndë për pagesa sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore të bizneseve presin me muaj të tërë të ekzekutohen nga Ministria e Financave, përkatësisht nga Thesari.
Vonesat e ekzekutimit të mjeteve financiare për kreditorët po konsiderohet shqetësuese nga përmbaruesit privat dhe bizneset.
KosovaPress, nga burime të saj, kupton se lëndët të cilat shkojnë në Thesar nga përmbaruesit vonojnë deri në 60 ditë për t’u ekzekutuar.
Ky burim i ka thënë KosovaPress se lëndët shkojnë me radhë sipas datës së pranimit, por ka probleme me sigurimin e fondeve.
KosovaPress ka mësuar se Thesari ka vetëm dy zyrtarë ligjorë ndërsa është një numër madh i lëndëve përmbarimore.
Edhe procedimi i tyre me vonesë po shkakton pastaj vonesa në pagesat e kompanive.
Mirëpo, nga kjo ministri nuk janë përgjigjur për Kosovapress sa i përket bllokimit të ekzekutimit të mjeteve financiare për kreditorët.
Kreu i Odës së përmbaruesve, Gashi ka theksuar se vonesat e ekzekutimit të lëndëve në Thesar janë shqetësuese, dhe sipas tij, kreditorët ligjërisht kanë të drejtë të kërkojnë kamatën prej 8 për qind për këto vonesa.
Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Gashi thekson se numri i lëndëve përmbarimore që presin të ekzekutohen nga Thesari është i madh. Ai thotë se sipas dispozitat ligjore, mos ekzekutimi i urdhrit të përmbaruesit përbën shkelje ligjore nga Thesari.
Gashi thotë po ashtu se për vonesat e ekzekutimit të lëndëve nga Thesari, bizneset kanë humbur durimin.
Parapa kamerave disa prej biznesmenëve kanë theksuar se derisa vetë këto institucione që kërkojnë nga kompanitë private t'i përmbushin obligimet ndaj ATK-së në afatet kohore, Ministria e Financave shkelë ligjet në fuqi për ekzekutimin e lëndëve përmbarimore.
Bizneset që janë palë me këto vendime, ankohen po ashtu se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve po përdorë standarde të dyfishta, pasi që një biznes nëse nuk kryen obligimet tatimore në ATK në afatet e parapara, ndëshkohet edhe me bllokim të llogarive bankare.