Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 18 gusht do të qëndrojë në Izrael, si pjesë e përpjekjeve diplomatike të Uashingtonit për të shtyrë përpara arritjen e një armëpushimi në Gazë, që do t’i jepte fund luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Kjo do të jetë vizita e dhjetë e kryediplomatit amerikan në këtë rajon që kur nisi lufta në Gazë në tetor të vitit 2023. Vizita e Blinkenit do të realizohet vetëm disa ditë pasi SHBA-ja paraqiti propozime, që edhe ndërmjetësit e tjerë, Katari dhe Egjipti, besojnë se do të mundësojnë tejkalimin e dallimeve mes palëve.
Në Izrael, Blinken do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë.
Negociatat për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi pritet të vazhdojnë javën e ardhshme në Kajro. Ato po mbahen në kohën kur është rritur frika se tensionet në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohen.
Uashingtoni vazhdimisht ka paralajmëruar Iranin që të mos sulmojë Izraelin.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë, shkruan REL, transmeton KosovaPress.