BKT Kosova dhe KOK nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
Lexohet për: 4 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) nënshkruan vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për një periudhë 10-vjeçare. Në ceremoninë zyrtare, kontrata u nënshkrua nga Suat Bakkal, kryeshef ekzekutiv dhe anëtar bordi në BKT Kosova dhe Ismet Krasniqi, president i KOK-ut.

I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Partneritet i zgjeruar ndërmjet BKT Kosova dhe Komitetit Olimpik të Kosovës jo vetëm që do të forcojë bashkëpunimin në mes të dy institucioneve për një të ardhme më të mirë për rininë e Kosovës, por gjithashtu do të shënojë një angazhim të përbashkët në rrugëtimin drejt ngjarjes historike - Lojërave Olimpike Mesdhetare Prishtinë 2030.

Marrëveshja e ripërtërirë e sponsorizimit, pozicionon BKT Kosovën si sponsorin më të madh të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Vlera e përgjithshme e kontratës për periudhën 10-vjeçare është 3 milionë euro.

Duke cekur mbështetjen afatgjate prej BKT Kosova për Komitetin Olimpik të Kosovës, Krasniqi theksoi ndikimin pozitiv që kjo mbështetje ka për Komitetin Olimpik të Kosovës, lëvizjen olimpike në vend, dhe më e rëndësishmja për sportistët që do të kenë përfitime të shumta nga ky bashkëpunim i qëndrueshëm dhe afatgjatë.

“Mbështetja afatgjate e BKT Kosova për familjen olimpike është aset i madh, jo vetëm per Komitetin Olimpik të Kosovës dhe lëvizjen olimpike në vend, por veçanërisht për sportistët, të cilët do të jenë përfituesit më të mëdhenj... Ne jemi krenarë që si institucioni më i lartë sportiv në vend, po vazhdojmë rrugëtimin tonë me një banka lidere në vend, për çka e falënderoj kryeshefin ekzekutiv, Suat Bakkal dhe udhëheqësit tjerë të bankës që kanë zgjedhur ta mbështesin KOK-un dhe sportin në përgjithësi”, tha presidenti Krasniqi.

Suat Bakkal, drejtor ekzekutiv i BKT Kosova, konfirmoi mbështetjen e palëkundur të BKT Kosovë për sportin në Kosovë, duke njohur arritjet mbresëlënëse të vendit në këtë fushë.

"Ky partneritet i vazhduar më tej kontribuon në zhvillimin dhe promovimin e sportit dhe sportistëve në nivelin më të lartë, për të çuar përpara sportin kosovar dhe sportistët që po shkëlqejnë çdo ditë në fushat e tyre, dhe më e rëndësishmja po bëhen ambasadorë të denjë të vendit. Kosova është shtet i ri dhe tashmë ka fituar tri medalje të arta olimpike. Suksesi i sportistëve kosovarë ka bërë jehonë në mbarë botën, dhe sporti tanimë, po bëhet eksporti më i madh i Kosovës, andaj arritja e kësaj marrëveshjeje afatgjatë sot na bën ne, BKT Kosovën krenare që jemi pjesë e tregimeve të reja të suksesit në vitet në vijim.

Si një nga përkrahësit më të mëdhenj të sportit në Kosovë, duke mbështetur shumë projekte, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në fushën e kulturës, sportit e veçanërisht te të rinjtë dhe fëmijët në përpjekjet e tyre për të arritur gjëra të mëdha, BKT Kosova angazhohet në mënyrë aktive si një partner strategjik për Komitetin Olimpik të Kosovës, duke iniciuar nisma më të gjera që përfshijnë të gjitha segmentet e komunitetit.

Nëpërmjet fushatës "Bëhu Hero", BKT Kosova angazhohet të shtrin ndikimin e saj, suksesi i të cilës i dedikohet sportit kosovar dhe në përgjithësi vendit, ku 1% e çdo pagese e bërë me VISA Kartelë Krediti të BKT Kosova në POS të BKT Kosova shkon direkt në llogarinë e Komitetit Olimpik të Kosovës, të cilat fonde i dedikohen atletëve, të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Kjo përqindje e pagesës mbulohet nga banka. Kjo qasje bashkëpunuese nënvizon përkushtimin e BKT Kosova për të nxitur një ndjenjë kolektive të përgjegjësisë dhe fuqizimit, duke siguruar që përfitimet e partneritetit tonë të jenë gjithëpërfshirëse dhe në të mirë të gjithë vendit”, theksoi Bakkal.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024