Pavarësisht se bizneset vendore vlerësohen të jenë gjeneratorë të zhvillimit ekonomik dhe kontribuues i mbushjes së arkës së shtetit, ato nuk po mbështeten nga institucionet shtetërore në Kosovë.
Një gjë të tillë e potencojnë vetë biznesmenët, teksa theksojnë se përveç tjerash u mungon përkrahja financiare nga institucionet shtetërore.
Esat Berisha, nga një kompani në vend me 15 vjet përvojë pune, e cila bënë kultivimin, përpunimin dhe shitjen e frutit të aronisë, në një prononcim për KosovaPress thotë se ndjehen të anashkaluar nga institucionet, kur bëhet fjalë për mbështetje.
Derisa tregoi benefitet e konsumimit të aronisë, Berisha potencoi se përveç lëngut, nga ky frut kanë përgatitur kapsula, çaj dhe pluhur, porse shtoi se në të ardhmen do të shtojnë edhe produkte të tjera të këtij lloji.
Po ashtu edhe, Don Polloshka pronar i një kompanie, e cila merret me shitjen e produkteve dhe aparateve higjienike tha se nevojitet mbështetja nga institucionet shtetërore, në mënyrë që të zhvillohen tutje.
Ndërkaq, drejtues të kësaj kompanie në fjalë, thonë se kanë çmime ekonomike, dhe presin të kenë sukses në shitje.
Ai potencon se përveç mbështetjes financiare, kanë nevojë edhe për lehtësimin e procedurave dhe informimin e qytetarëve rreth kësaj industrie.
Kryeministri Albin Kurti javë më parë ka thënë se që nga fillimi i mandatit të tyre, janë angazhuar për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, mbështetje për biznese, mbrojtje të konkurrencës dhe inspektim të tregut.