Bislimit i kërkohet dorëheqja në Kuvend, kritikohet edhe për gjuhë joparlamentare
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi u “përplas” sot në seancën e Kuvendit me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu- Shoshin.

Ishte deputetja opozitare, e cila e ballafaqoi kryenegociatorin për dialog me një deklaratë të tij të mëhershme në lidhje me Asociacionin, ku kishte thënë se në momentin kur formohet Asociacioni me apo pa kompetenca ekzekutive, ai nuk do të ishte më në atë pozitë.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Bislimi i tha deputetes Musliu se është i pakuptimtë epshi i saj për me marrë vëmendje publike.

Përdorimi i fjalës epsh nxiti reagim të deputetëve opozitarë, ku edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i kërkoi Bislimit të ketë kujdes në fjalor.

Në lidhje me incizimin që iu paraqit në Kuvend, Bislimi tha se ai është vetëm një pjesë e shkëputur e intervistës së tij. Ndërkaq, ai theksoi se tani me marrëveshjen bazë të 27 shkurtit në Bruksel janë krijuar kushtet për të diskutuar për çështjen e minoriteteve.

Atij i reagoi deputetja Musliu-Shoshi, e cila tha se ofendimet janë argumentet më të forta të zëvendëskryeministrit Bislimi, derisa i vendosi sërish një incizim të kryeministrit Kurti, ku sipas saj, theksohet nga ana e tij formimi i Asociacionit.

“E thash që ofendimet i ke argumentet më të forta, mirëpo me mua nuk të shkojnë zotëri zëvendëskryeministër. Përgjigjen të jep luani apo kryeministri juaj. Pyetja ime është kur po jep dorëheqje pasi më nuk ke kredibilitet me qenë kryenegociator”, theksoi ajo./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024