Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar sot drejt Brukselit.
Me ftesë nga drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, ai do të udhëheqë delegacionin nga Kosova në një takim të përbashkët ku do të diskutohet mbi Planin për Rritje.
Delegacioni i Kosovës përbëhet edhe nga ministri i Financave Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.
Ndryshe, më 8 nëntor 2023, Komisioni Evropian miratoi planin e rritjes ekonomike, për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027, ku do të ndahen 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor.
Plani është i bazuar në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së, forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal, përshpejtimi i reformave thelbësore, rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Për ta promovuar këtë plan, edhe përpara miratimit të tij, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, kishte udhëtuar para një jave në vendet e rajonit.
Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.