Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka paralajmëruar digjitalizimin e 100 shërbimeve të reja gjatë vitit 2025.
Bislimi, në prezantimin e Programin për parandalimin dhe zvogëlimin e barrës administrative 2025-2028, tha se reforma e administratës publike në Kosovë është hap thelbësor drejt modernizimit dhe përmirësimit të qëndrueshëm ekonomik.
Ai theksoi se ekzekutivi synon ndërtimin e një administrate të përgjegjshme, transparente dhe që ka aftësi të krijojë mjedis të favorshëm për qytetarët dhe bizneset.
“Reforma e Administratës Publike përbën hap thelbësor drejt modernizimit dhe përmirësimit të qëndrueshëm ekonomik. Ajo çka ne synojmë është ndërtimi i një administrate të përgjegjshme, transparente dhe që ka aftësi të krijojë mjedis të favorshëm si për qytetarët ashtu edhe për bizneset”, tha Bislimi.Ndërkaq, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se ulja e barrës administrative do të ofrojë shërbime efikase për qytetarët dhe bizneset.
Kurse, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher tha se bashkëpunimi ndër vite me qeverinë e Kosovës ka sjell rezultate në uljen e barrës administrative në vend.