Bislimi sot takim virtual me Lajçak: Mendoj që shumë shpejt duhet të ftohet takimi i krerëve të shtetit
Lexohet për: 7 min.
besnik bislimi
2 vite më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur që sot do të zhvillojë takim online me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sipas tij për t’i definuar hapat e radhës. Sipas tij, duhet që shumë shpejt të ftohet takimi i krerëve të shtetit meqë zotimi i Brukselit është që deri në mars të përfundohen negociatat për normalizim.

Për procesin e dialogut, Bislimi ka folur gjatë raportimit para Komisionit për integrim Evropian.

“A do të ketë takime të radhës në Bruksel, gjithsesi që do të ketë, unë kam sot pasdite një takim online me zotin Lajçak, ku do t’i definojmë hapat e radhës. Unë mendoj që shumë shpejt duhet të ftohet takimi i krerëve të shtetit meqë ky është edhe zotimi i Brukselit, në mënyrë që deri në mars të përfundohen negociatat për normalizim sipas dakordimit që kemi arritur, ka një deklaratë të zotit Borrell mbi atë se çka kemi biseduar ne palët në Bruksel dhe sipas asaj deklarate ne duhet që deri në fund të marsit të prodhojmë një marrëveshje për normalizim”, tha Bislimi.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka thënë se janë në terr informativ sa i përket çështjes së dialogut duke shtuar se qytetarët nuk janë të informuar për marrëveshjen e bërë për targat ditë më parën ë Bruksel.

“Unë konsideroj që i keni shkaktuar dëme Kosovës zoti Bislimi, së pari e keni shkaktuar një situatë ku ne nuk kemi funksionim të institucioneve të Republikës së Kosovës në pjesën veriore të vendit, sot kemi zero funksionim në pjesën veriore të vendit, përtej faktit që ne e kemi bërë të mundur funksionimin e pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, që mendoj që ka qenë një hap pozitiv. Ne sot kemi zero funksionim të institucioneve në atë pjesë dhe natyrisht gjithë këtë ju e keni zhbërë brenda një viti me veprimet tuaja të cilat kanë qenë të pamatura”, tha Deliu.

Bislimi ka thënë se përfaqësimi i Kosovës nga viti 2021 ka ndryshuar për të mirë, madje sipas tij opozita duhet të ndjehet e turpëruar për veprimet derisa ishin në pushtet.

“Zonja Deliu përdori kryesisht tri fjalë me të cilat i përsëritë vazhdimisht dhe përpiqet të krijojë narrativen: dështime në dialog, veprime të pamatura, veprime femërore... Vetëm çerekun e informacionit sikur ta kishit për atë se si është përfaqësuar Kosova deri tash edhe si është përfaqësuar para vitit 2021 ju ishit turpëruar të vini në sallë. Por nëse ju më thirrni mua në një seancë në raportim për procesin e dialogut, unë ju tregoj për të gjitha të arriturat e juaja në veri, në sundimin e ligjit, kontrabandën, laboratorët e drogës, rrugët ilegale, përdorimin e dinarit, mos pagesën e ujit, targat e Millosheviqit dhe të gjitha të arriturat e juaja i numëroj dhe pastaj ju flas për dështimet tona në shkatërrimin e këtyre sukseseve tuaja”, tha Bislimi.

Në replikën e saj, deputetja e PDK-së ka thënë se koha do të dëshmojë se kush duhet të ndjehet i turpëruar dhe sipas saj të gjithë do të japin llogari për punën dhe mos-angazhimin e tyre.

Sipas tij, deri në vitin 2021 janë bërë marrëveshje jo të mira në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Ata që mendojnë që deri në vitin 2021, ne kemi bërë marrëveshje shumë të këqija, e dorën në zemër edhe Bashkimi Evropian thotë, nuk është faji jonë, ju i keni nënshkruar këto marrëveshje, i “bajshit me shnet”, pse i keni çuar ata njerëz në dialog, kështu na thonë. Ata që i shohin këto marrëveshje si të këqija do t’i shohin proceset pas 2021-ës si të mira, ata të cilët mendojnë se e kemi kënaqur deri më 2021 çdo vendim që është marrë pas 2021-ës e shohin si dështim”, ka thënë Bislimi.

Lidhur më këtë ka reaguar deputeti i PDK-së, Elmi Reçica sipas së cilit dikur në opozitë Lëvizja Vetëvendosje e ka penguar procesin e liberalizmit të vizave.

“Kur atëherë ka qenë periudha më e rëndësishme dhe më e afërt për liberalizim të vizave dhe agjendë evropiane, a e di çfarë kanë thënë ata që po merresh me konspiracion ti deputetë dhe kolegë tjerë nga Bashkimi Evropian, kanë thënë nuk po ju shohim prej tymi, po na bëni tym në sallë, nuk po ju shohim, për atë arsye nuk ka liberalizim”, ka thënë Reçica.

Ndërsa deputetja e aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka kritikuar qeverinë për jo-transparencë.

“Ju jeni qeveria më jo transparente edhe në proces me dialogun, ne shpesh herë kemi dëgjuar prej mediave se çka keni negociuar dhe çka nuk keni negociuar siç ka qenë takimi i fundit i zotit Kurti në Bruksel, kur ka dalë i zhgënjyer. A e ka ditë zoti Kurti agjendën se për çka po shkon në Bruksel sepse i zhgënjyer e lëshon mbledhjen pa arritjen e një marrëveshje për targat duke thënë që unë jam ftuar në Bruksel për të diskutuar për planin franko-gjerman”, tha Kadrijaj.

Lidhur me vendimin e Kosovës që në dhjetor të këtij viti të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE, Bislimi ka thënë se kanë përgatitur një dokument të pozicionit politik të cilin ua kanë dërguar vendeve anëtare dhe ka shtuar se janë në koordinim me presidencën ceke për caktimin e datës së aplikimit.

“Jemi në koordinim të ngushtë me Presidencën çeke për ta caktuar përfundimisht datën. Ne kemi një datë, por për aq kohë sa kjo nuk është e konfirmuar në plotëni me Presidencën çeke, nuk e bëjmë publike, por është te mesi i muajit dhjetor. Unë e di që do të ketë ndoshta vende, të cilat kanë ende hezitime, por kjo nuk e zhvleftëson aplikimin. Aplikimi thjesht trajtohet në atë moment kur arrihet konsensusi, por aplikimi është në sirtarët e komisionit, prandaj ka zero rrezik që të ketë efekte negative, por vetëm ka efekte pozitive. Përderisa deri në muajin qershor na është thënë se ndoshta është pak herët, prej muajit qershor e tutje BE vetëm na ka pyetur kur doni ta dorëzoni aplikimin, do të thotë është marrë si i mirëqenë vullneti ynë për ta dorëzuar”, tha ai.

Ndërsa lidhur me procesin e liberalizmit të vizave, zëvendëskryeministri i Kosovës ka mohuar se një procesi i tillë është ndërlidhur me çështjen e dialogut.

“Nuk ka pasur kurrfarë ndërlidhje me procesin e dialogut. Arsyeja pse nuk është diskutuar javën e kaluar, por këtë javë ka të bëjë me brengën e disa vendeve që mbase ndonjë vend skeptik mund ta keqpërdorë situatën me targa për të dhënë diskutime negative. Vendimi për shtyrë ka qenë për qëllim të mirë për Kosovën, jo për qëllim të kushtëzimit apo diçka të ngjashme... Ajo që është me rëndësi është që të gjitha vendet anëtare kanë konkluduar që tash është momenti për liberalizim të vizave sepse tani Kosova është duke e luftuar suksesshëm krimin dhe korrupsionin”, ka thënë Bislimi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025