Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili duket se nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh me të martën në Bruksel.
Bislimi u takua dy herë me Lajçakun të martën paradite dhe tha për gazetarë pas takimit se një takim trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.
Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.
Por, kryenegociatori serb Petkoviq e akuzoi Bislimin se nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Beogradit për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë Serbe.
Ai konfirmoi se i ka dorëzuar të Lajçakut një listë të serbëve të arrestuar të cilët, sipas Petkoviqit, janë "të burgosur politikë", shkruan REL.
Zyra e Kryeministrit njofton se ky takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë.
Sipas njoftimit, në takimin me emisarin Lajçak, u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve. Zëvendëskryeministri shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen.
“Tema të diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes. Rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, zëvendëskryeministri ripërsëriti destruktivitetin e Serbisë, e cila qëllimshëm po e zvarrit procesin duke paraqitur kërkesa të reja edhe pas dakordimit final”.
Në komunikatë thuhet po ashtu se sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës.
“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, thuhet në njoftim.