Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi është kritikuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Blerta Deliu se qeveria i ka shkaktuar dëme vendit.
“Qytetarët e Kosovës nuk janë të informuar për ujdinë që është bërë për targat. Në cilën formë do të bëni kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Konsideroj që i keni shkaktuar dëme Kosovës, keni shkaktuar situatë ku nuk kemi funksionim të institucioneve në veri të vendit. A ndjeheni fajtor që dështimet që i keni pësuar në dialog kanë bërë që ky proces për herë të parë të ndërlidhet me liberalizimin e vizave”, ka thënë Deliu.
Ndër të tjera Bislimi ka mohuar se çështja e vizave është ndërlidhur me procesin e dialogut.
“Nuk ka pasur kurrfarë ndërlidhje të procesit të liberalizimit të vizave dhe dialogut, kush e thotë këtë dezinformon. Liberalizmi i vizave është lidhur me sistemin ETIAS”, ka thënë Bislimi.
Ndërsa për raportin për vendin nga Komisioni Evropian, Bislimi ka thënë se është më i miri ndonjëherë për Kosovën.
“Raporti për vendin 2022 përpiluar nga Komisioni Evrpian thekson qe Kosova ka pasur stabilitet politik, por për zbatim të suksesshëm të reformave stabiliteti politik është alfa dhe omega për sukses të reformave, qeveria stabile në këtë krizë ka mundësuar duke qenë afër qytetarit të kemi sukses në vaksinim gjatë pandemisë, besojmë se kemi pasur sukses në adresimin e pasojave negative që inflacioni ka pasur”.
“Çështja e kuorumit ka qenë në media më shumë se që është dashur”, ka shtuar ai.
“Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, raporti konstaton se dialogu vazhdoi gjatë gjithë periudhës raportuese me takime të rregllta mujore të kryenegociatorëve dhe një takim të nivelit dhe një të nivelit të lartë. Siç e dini nga data 23 nëntor kemi hyrë në një fazë të re të diaogut”, ka thënë Bislimi.